Rama: Momenti i hyrjes së Shqipërisë në BE ndryshon automatikisht pagat
Të gjithë punonjësit e Shqipërisë duhet ta dinë se momenti i hyrjes në Bashkimin Evropian ndryshon menjëherë edhe pagat automatikisht.
Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në fabrikën e “DBS Group”, një nga katër kompanitë më të mëdha në Europë në tregun global të veshjeve sportive, në Kashar, Tiranë.
“Kjo kompani me qendërzimin e aktiviteteve të veta këtu edhe pse ka disa degë në disa vende që janë vende të BE-së dhe me strategjinë për ta kthyer Shqipërinë në një hapësirë ku të mbledh të gjithë produktet nga të gjitha vendet e tjera për ti çuar në Evropën Perëndimore, na jep një provë shumë të qartë të avantazhit që ka vendi ynë, një avantazh strategjik të cilin ne po mundohemi ta mbështesim me infrastrukturën me aeroportet rrugët hekurudhat”, theksoi Rama.
Ndërkohë, vijoi Rama, që hapi tjetër i futjes në BE do ta bëjë edhe të lehtë për kompaninë si kompani evropiane që të rrisë kapacitetet e veta të rrisë fitimet e veta dhe padiskutim të rrisë detyrimisht edhe mbështetjen financiare tuajën.
Rama tha se me futjen në BE do të rriten automatikisht edhe pagat e punonjësve në Shqipëri.
“Bëhet shumë më e lehtë për të gjitha ju ose për këdo që të shkojë dhe të thotë nuk ma bën ti mua pagën mua kaq po shkoj po e marr në Irlandë, sepse duke u bërë anëtarë të BE-së jemi njësoj si të thuash sot nuk ma jep dot këtë pagë këtu po shkoj po e marr në Durrës, po shkoj po e marr në Korçë. Kam historinë e Korçës ku keni hapur një degë me rreth 200 punonjës. Edhe është bërë si barcoletë atje se thoshin që kanë hapur një fabrikë dhe paguajnë edhe ditët kur je me raport. I dukej si çudi”, tha Rama.
Rama shtoi se “siç sot për të shkuar në Korçë, Durrës apo Shkodër nuk ka nevojë as t’i kërkosh leje njeriut as të thotë njeri ku po shkon, nesër e njëjta gjë do të jetë brenda gjithë atij perimetrit të BE-së”.
Fraksion.com