Rama: Hapim Akademinë e Forcave Ajrore në Vlorë, në shërbim edhe të aleatëve
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot hapjen e Akademisë së Forcave Ajrore për pilotë, që do të përgatisë pilotë shqiptarë por që do t’i shërbejë edhe forcave aleate.
Në një takim në Rubik, Rama tha se Akademia do të vendoset në Vlorë dhe se marrëveshja për hapjen e saj do të nënshkruhet shumë shpejt.
“Synimi është që të jetë një akademi që t’u shërbejë edhe forcave aleate. Po punojmë me një grup të rëndësishëm në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe besoj se në ditët në vijim, në Vlorë do të bëhet edhe nënshkrimi i marrëveshjes për nisjen e Akademisë së Forcave Ajrore”, theksoi ai.
Nga ana tjetër, kryeministri risolli në vëmendje edhe bashkëpunimin me Italinë për prodhimin e anijeve jo vetëm për tregun vendas, por edhe për eksport.
“Në bashkëpunim me Italinë po rrisim edhe kapacitet e Forcave Detare. Po në bashkëpunim me një kompani italiane, një ndër ndërmarrjet më të mëdha të prodhimit të anijeve në botë, është arritur marrëveshja e mirëkuptimit për të bashkëpunuar për ringritjen e bazës së prodhimit e të riparimit të anijeve në Shqipëri, që do të na japë mundësi të prodhojmë për vete dhe eksportojmë”, deklaroi Rama.
Rama vuri në dukje se do të ketë edhe marrëveshje të tjera në funksion të industrisë ushtarake.
“Investimet në industrinë ushtarake janë investime me ndikim ekonomik dhe social. Ka ardhur dita që t’i çelim dritën jeshile edhe industrisë shqiptare të mbrojtjes”, tha Rama.
Fraksion.com