AktualitetPolitikëTë fundit

PL: Mbështetje për familjet e reja, mbulim i plotë i shpenzimeve për fëmijën e tretë

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ngriti sot shqetësimin për uljen e lindshmërisë në vend dhe emigrimin e të rinjve.

Në një deklaratë për mediet, Xhixho tha se “popullsia e vendit po plaket në mënyrë të menjëhershme, sepse të rinjtë po emigrojnë dhe ata që nuk munden të ikin, nuk kanë asnjë siguri për të ardhmen”.

Gjatë fjalës së saj Xhixho prezantoi edhe programin e Aleancës për Shqipërinë Madhështore që sipas saj “do të mbështesë familjet e reja, duke u krijuar atyre mundësinë të ndërtojnë një jetë dinjitoze në vendin e tyre”.

Xhixho tha se “çdo çift i ri i martuar pas vitit 2019, ku një nga partnerët është në martesën e tyre të parë, përfiton 30 mijë euro kredi me interes zero nga qeveria për të plotësuar minimumi 20% të depozitës për apartamentin/shtëpinë e parë që do të blejnë, në mënyrë që të kenë mundësi të marrin deri 80% kredi nga bankat e nivelit të dytë”.

“Shteti do të mbulojë tërësisht shpenzimet për fëmijën e tretë deri në moshën 18 vjeç. Shteti do të ofrojë mbështetje mujore prej 60 euro për fëmijën e parë dhe 70 euro për të dytin”, tha Xhixho.

Sipas zëvendëspresidentes së PL-së “do të mbështesim me kuponin 250 euro çdo fëmijë në lagjet ku mungon shkolla, derisa qeveria të hapë aty shkollën e re. Qytetarët paguajnë taksa dhe shërbimin duhet ta marrin ose të kompensohen në mënyrë që ta përdorin në arsim privat”.

“Do të implementojmë sistemin e kateringut në kopshte dhe shkolla, sipas modelit europian. Do të rrisim pagat, do të ulim taksat, çmimin e naftës dhe energjisë dhe do të rikthejmë lirinë ekonomike”, tha Xhixho.

Xhixho u shpreh se “12 vjet krim, korrupsion dhe shpopullim duhen ndëshkuar masivisht, ndaj programi i opozitës është e vetmja zgjidhje për problemet e çdo familje shqiptare. Më 11 maj, vota për opozitën është votë për Shqipërinë madhështore!”.

 

Fraksion.com