Berisha: Rrisim pagat dhe pensionet me taksat që do ua kthejmë qytetarëve
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot nga takimi elektoral për zgjedhjet parlamentar të 11 majit në Kamzë, se del para qytetarëve për të paraqitur alternativën e koalicionit “Shqipëria Madhështore” që do t’i japë përgjigje problemeve të rënda që përjeton sot Kamza dhe Shqipëria.
“E kanë bërë Kamzën, e kanë bërë Shqipërinë një vend nga i cili shqiptarët vetëm largohen. E kanë bërë Kamzën, e kanë bërë Shqipërinë vendin në të cilin nga viti 2014 gjer në vitin 2023, vetëm në hapësirën e BE u larguan 1 milion e 99 mijë banorë të Kamzës dhe gjithë Shqipërisë”, tha Berisha.
Sipas Berishës, qytetarët gjatë këtyre 12 viteve u varfëruan çdo vit e më shumë ndërsa çmimet e mallrave, ushqimeve jetike u dyfishuan.
Ai u ndal edhe tek pensionet duke thënë se qeveria injoroi, mohoi, poshtëroi pensionistin e Shqipërisë.
“Një pensionist që në vitin 2013 merrte një pension mesatar 143 mijë lekë, merrte më shumë se secili moshatar i tij në vendet përreth. Po sot si është gjendja? Sot pensionisti i Malit të Zi merr 450 euro, kurse pensionisti në Shqipëri merr 170 euro”, tha Berisha.
“Zotohem para jush se 100 ditët e para nuk do ketë pensionist në Shqipëri që nuk do marrë 200 euro”, tha Berisha duke shpjeguar se ky është premtim i mbajtshëm ashtu si u mbajt premtimi për rrogat në 2005.
“Në vitin 2005 ne premtuam dyfishimin e rrogave dhe u them një gjë, ai ka qenë premtimi më i vështirë i jetës sime sepse nuk di një administratë tjetër që të ketë premtuar dyfishim rrogash në atë kohë, por e mbajtëm. I them cilido shqiptar, gjej një mësues, një infermiere, një mjek, një punonjës që të thotë se rroga e tij nuk u mbidyfishua gjatë viteve 2006-2013. Pa përjashtim të gjithë”, tha Berisha.
“Deklaruam se do dyfishojmë pensionet e ulëta. Pensioni ishte 36 euro, çdo pension i ulët u bë 83 euro. Deklaruam se do rrisim pensionet e mesme dhe të larta. Çdo pension i mesëm u rrit 60 përqind. Çdo pension i lartë u rrit 40 përqind. Si ndodhi? Si u bë kjo? Fare e thjeshtë. Paratë ua kthyem shqiptarëve”, tha Berisha.
“Si do i rrisim tani? Përsëri me të njëjtin mekanizëm, paratë do ua kthejmë ju”, përfundoi kryetari i Partisë Demokratike.
Fraksion.com