AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Në 12 maj i tregojmë Brukselit se populli u bashkua përtej ndasive politike për Shqipërinë në BE

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot nga Dibra se në 11 maj shumica e shqiptarëve duhet të bëhen bashkë për t’i dhënë një shtysë të fortë negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Në një takim me gratë e vajzat e qarkut Dibër, Rama u shpreh se 11 maji nuk është një ditë zgjedhjesh si të tjerat.

Rama tha se në 12 maj, Brukseli dhe të gjitha vendet anëtare duhet të shohin se një popull në Shqipëri u bashkua përtej ndasive politike dhe përtej numrave dhe shumicës dhe krijoi një shumicë për Shqipërinë në BE

“11 maji është përtej Dibrës, rrugëve, urave dhe zhvillimeve të tjera, sepse kemi bërë shumë edhe për arsimin, shëndetësinë, programet sociale etj dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë por 11 maji nuk është një ditë zgjedhjesh si të tjerat. Përgjithësisht në zgjedhjet politike populli shkon për të vendosur kush do ta qeverisi më mirë në 4 vitet e ardhshme, por ndonjëherë ndodh që zgjedhjet politike të jenë takim me historinë”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se shqiptarët kanë pasur një takim me historinë në zgjedhjet e vitit ’91-’92.

“Shumica dërrmuese e shqiptarëve shkuan votuan PD-në por nuk e votuan se ishin të gjithë me të, as se nuk kishin vërejtje apo ankesa apo kritika. Aq e vërtetë është kjo sa PD-në e votuan masivisht në mars dhe pastaj në zgjedhjet e verës për pushtetin vendor e kundërvotuan masivisht. Por ama 22 mars ishte koha dhe vendi i duhur për të bërë zgjedhjen e duhur për të mbyllur përfundimisht një kapitull të gjatë të një historie, e cilai përkiste të shkuarës dhe për të hapur një kapitull të ri duke zgjedhur me votë një sistem të ri, prandaj e votuan PD-në”, tha Rama.

Zgjedhjet e 11 majit, sipas tij, janë shumë të ngjashme sepse nuk është thjesht çështja të kemi një qeveri.

“Ne qeverinë do ta kemi. Kemi 74 deputetë dhe nëse vetëm një deputet të marrim më shumë në Dibër shkojmë 75. Pra nuk është çështja e qeverisë, por është më e madhe se kaq. Në 11 maj duhet të bëhemi bashkë për t’i dhënë mundësi forcës që qeveris që të eci para dhe të realizojë të gjitha detyrat për integrimin në BE”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se BE ka përcaktuar një kalendar për përfundimin e negociatave deri në vitin 2027, ndaj sipas tij, “PS duhet të vijojë punën në qeverisje pa pasur nëpër këmbë lloj-lloj pengesash të kota”.

Ndërsa foli për procesin e integrimit në BE, Rama kujtoi se Shqipëria është nisur në këtë proces nga humnera.

“Ne jemi nisur nga humnera ku Shqipërisë nuk ia vërshëllente njeri, nuk e llogarisin fare. Ne kemi bërë detyrat tona se e kemi ngritur Shqipërinë në një nivel në majë ku të gjithë mund ta shohin e respektojnë. E kemi bërë Shqipërinë një vend që sot është zbulim për turizmin. 12 milionë turistë vjet dhe prisni sa do të keni në Dibër këtë verë”, tha Rama.


Fraksion.com