Rama inspekton rrugën Peshkopi-Ura e Cerenecit: Dibra, tashmë veriu i kryeqytetit
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot rrugën që lidh Urën e Cerenecit me Peshkopinë, një segment i rëndësishëm që plotëson Rrugën e Arbrit duke shkurtuar edhe më tej distancën mes Dibrës dhe Tiranës.
I shoqëruar nga kryetarja e bashkisë Bulqizë Festime Mjeshtri dhe kryetari i bashkisë Dibër Rahim Spahiu, Kryeministri Rama bashkëbisedoi po ashtu edhe me disa banorë të zonës të cilët vlerësuan investimet e qeverisë për këtë qark.
Kryeministri e cilësoi këtë segment rrugor si një dritare më shumë për të shijuar peizazhin fantastik që të ofron natyra dibrane.
“Çfarë t’ju them për dibranët, matjanët e bulqizakët, për ta paska qenë kjo punë se me Tiranën u puthitët, me Librazhdin, Pogradecin e Korçën u puthitët. Tani çfarë t’ju bëjmë më shumë”, tha Rama, ndërsa kujtoi se për shumë kohë kjo zonë ishte në izolim.
Kryeministri iu përgjigj po ashtu edhe të gjithë atyre që akuzojnë për diferencime krahinore në shpërndarjen e investimeve publike.
“Edhe për ata që thonë jo po pse në jug, jo në veri ju kujtoj se Dibra nuk është në jug. Dibra është veriu i kryeqytetit tani se u afrua shumë, por është verilindja e Shqipërisë që të jemi shumë të qartë”, shtoi Rama.
Duke folur për investimet në këtë qark, Rama tha se tani mbetet që të gjithë së bashku të fusim Shqipërinë në BE.
“Për ju paska qenë kjo punë. Me Rrugën e Arbrit dhe Tunelin e Murrizit u bëtë pjesë e Tiranës. Tani edhe rruga për të dalë në Korçë e në Pogradec te liqeni. Çfarë të bëjmë më shumë? Nuk kemi çfarë të bëjmë më shumë se sa të fusim Shqipërinë në BE”, tha Rama.
Kryetarja e bashkisë Bulqizë u shpreh se banorët e kanë pritur prej shumë kohësh këtë rrugë, pasi është një trampolinë për këtë zonë duke qenë se i shërben edhe Dibrës, edhe Burrelit dhe Klosit.
“Me Rrugën e Arbrit lidhet direkt edhe me Korçën, Pogradecin e Elbasanin gjithashtu, tani që është kthyer në zonë turistike. Dibra është me fat me të gjitha këto investime. Tani mund të themi që jemi një ndër qarqet me investimet më të mëdha në gjithë Shqipërinë”, tha ajo.
Edhe kryetari i bashkisë Dibër, Rahim Spahiu vlerësoi po ashtu mbështetjen e dhënë nga qeveria.
Fraksion.com