AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Burreli i transformuar, do të jetë një nga zonat më të kërkuara

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qyteti i Burrelit pas investimeve të kryera në infrastrukturë është transformuar dhe pritet të jetë një nga zonat më të kërkuara.

Në fjalën e tij gjatë takimit në Burrel për prezantimin e Paketave Sociale që qeveria shqiptare ofron për çdo qytetar në çdo cep të vendit, Rama foli për ndryshimet që ka pësuar ky qytet.

“Të vish këtu në këtë zonë, të nisësh nga Tirana sikur po shkon në Durrës e ta gjesh veten në Burrel. Më vjen jashtëzakonisht mirë që tanimë edhe tuneli “kokëfortë” i Murrizit u dorëzua dhe për pak ditë do të mbyllim edhe segmentin e fundit të mbetur të Maqellarë-Peshkopi, sepse megjithëse këtu në Mat më kanë thënë se, mos u lodh kot se dibranëve Ai lart nuk ua mbyll gojën dot kurrë, por të paktën kur t’ua çojmë Rrugën e Arbrit tek hoteli i Astritit ma ha mendja që për ca kohë do t’u mbyllet goja, por do i kurseni shumë nga spicat e tyre”, theksoi Rama.

Duke folur për Rrugën e Arbrit, Rama tha se “është kënaqësi edhe për një arsye tjetër se ky qytet nuk njihet më se çfarë ishte përpara se ne të merrnim besimin e popullit të Matit dhe me Rrugën e Arbrit një lidhje shumë e shkurtër me Tiranën, me transformimet që po ndodhin në qytet dhe me gjithë këtë natyrë të jashtëzakonshme që ka përreth, nuk është aspak e ekzagjeruar të imagjinosh që jo në 50 vjet, por në 5 vjet, 6 vjet kjo zonë do jetë një nga zonat më të kërkuara”.

“Duket si e fantazi por nuk është fare, realisht do të ishte e pamundur të imagjinonim një gjë të tillë me rrugën e deridjeshme, ku të thyheshin brinjët për të ardhur deri këtu, por sot është absolutisht normale ta mendosh, sepse faktikisht distanca është bërë thuajse e barabartë me Durrësin kur ka trafik Durrësi, dhe Durrësi ka detin, kjo zonë ka malet dhe pyje të mahnitshme”, nënvizoi Rama.

Rama iu drejtua miqve të tij nga Dibra të blejnë çfarë të munden sot, se nesër nuk do ta blejnë dot.

“Jam i bindur që tani ka filluar të ndihen efektet në vlerën e apartamenteve, nuk kam pyetur, por që tani kanë filluar të ndihen efektet edhe në Peshkopi”, tha Rama.

 

Fraksion.com