“Kush do bëjë më shumë fëmijë, do i rrimë më afër”, Rama: Bonusi i bebes jo me çek, do të ketë pagesa mujore
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Burrel, diskutoi paketat sociale që kanë në fokus mbështetje për fëmijët me aftësi ndryshe, gratë, të rinjtë dhe të moshuarit.
Rama njoftoi se programi i bonusit të bebes do të kalojë në një rikonceptim të ri, duke filluar nga viti 2026. Sipas tij, kjo do të thotë që ndihma financiare nuk do të ofrohet më në formën e çekut, por do të kalojë në një skemë të re pagesash mujore për periudha 2-vjeçare dhe 3-5-vjeçare, duke u përshtatur me numrin e fëmijëve.
Ndërkohë, një prej betejave kryesore mbeten pensionet, për të cilat Rama nënvizoi se nuk është dhënë asnjë premtim i pabazuar. Ai shpjegoi se viktimat e politikave të mëparshme, të cilat ishin të dëmshme dhe kriminale në nivel kombëtar, tani përfitojnë pensione të cilat nuk janë dinjitoze. Në ndryshim, ata që dalin në pension pas reformës, përfitojnë pensione të tjera më të mira.
“Kemi bërë reforma që kanë ndryshuar situatën e pensioneve, dhe ata që dalin në pension pas këtyre reformave, përfitojnë pensione krejt të tjera,” përfundoi Kryeministri.
Fraksion.com