“Kamera inteligjente në të gjitha rrugët”, Rama: Kontroll absolut mbi territorin përfituar nga fuqia e AI
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar vizionin për një kontroll të avancuar të territorit dhe zbatimin e teknologjisë më të fundit në funksion të sigurisë dhe shërbimeve publike.
Gjatë aktivitetit “Fuqizimi i AI në Shërbimet Publike Digjitale në Shqipëri”, Rama njoftoi nisjen e programit të qyteteve të zgjuara, me një rrjet kamerash inteligjente që do përfshijë rrugët kryesore të vendit.
Sipas tij, teknologjia do të mundësojë zëvendësimin e pranisë fizike të policisë në rrugë, duke i dhënë kësaj të fundit një rol reaktiv dhe të përqendruar në ndërhyrje, vetëm kur është e nevojshme.
Ai theksoi se sistemi do të mundësojë monitorimin në kohë reale të shkeljeve të qarkullimit rrugor, me dërgimin automatik të provave dhe gjobave tek drejtuesit e mjeteve.
“Në kohë reale do të vijë fotoja duke buzëqeshur, ndërsa je duke ecur më shpejt se duhet, me një këshillë për të ulur shpejtësinë, vendin ku do paguash gjobën dhe foton sigurisht,” tha me ironi Rama, duke nënvizuar se projekti synon rritjen e sigurisë dhe efikasitetit.
Fraksion.com