AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Rrugë dhe vepra publike të paktën 5 herë më shumë se në këto 12 vite

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot nga takimi elektoral në Berat ku paraqiti kandidatët e koalicionit “Shqipëria Madhështore” në zgjedhjet e 11 majit, se në 12 vitet e fundit janë ndërtuar jo më shumë se 200 kilometra rrugë dhe janë shpenzuar 12 mld euro.

Berisha garantoi pjesëmarrësit në takim se në qeverisjen e ardhshme do të ndërtohen rrugë dhe vepra publike, minimumi 5 herë më shumë, se sa janë ndërtuar në 12 vite, pasi sipas tij, qeveritarët kanë vjedhur dhe shpërdoruar në mënyrë të tmerrshme.

“Të ndërtosh një rrugë me 20 mln euro kilometrin, në një kohë kur Kroacia, të njëjtën rrugë e ndërton me 1.7 mln euro kilometrin, je hajdut që nuk njeh asnjë kufi”, u shprehg Berisha.

Sipas Berishës, Kryeministri Rama po kopjon programin e Partisë Demokratike.

“Tani që, ne kemi bërë premtimin minimal për minimumin jetik, dhe që jemi të zotuar ta vendosim 100 ditët e para kur çdo shqiptar, çdo pensionist, çdo i papunë, çdo njeri me ndihmë ekonomike, çdo student, çdo jetim, çdo fëmijë i një gruaje kryefamiljare, do marrë 200 euro, ai thoshte që do ta bëjmë pensionin minimal 200 euro në vitin 2030. Ky nuk ka respekt minimal për shqiptarët! Ky i përçmon shqiptarët!”, tha Berisha.

Sipas tij, është poshtërim për atë që ka punuar 45 vite dhe numëron kafshatën, nuk blen dot ilaçet, por rri në mëshirë të sëmundjes dhe fatit, apo në mëshirë të lëmoshave që mund t’i japë kush.

“Unë i garantoj se çdo rrogëulët, dhe rroga e ulët nuk do jetë më kurrë ndën 500 euro, çdo pensionsit, çdo qytetar me minimumin jetik, do të ketë kartën e konsumatorit dhe nuk do blejë më ushqimet dhe gjërat bazë me çmimin që i blejnë të tjerët me rroga të larta, por do i blejë me 20% më pak. Do marrë 450 euro në vit mbrapsht”, vijoi Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se nga realizimi i këtyre masave vendi nuk do të bjerë në greminë. “Do rikthejmë shpresën, do rikthejmë besimin. Do nderojmë ata që e meritojnë, dhe e meritojnë plotësisht”, tha Berisha.

Berisha: Do hiqet mesatarja për në universitete

Berisha u ndal edhe tek arsimi, duke garantuar mësuesit, prindërit, nxënësit, se modernizimi i arsimit do të jetë objektiv madhor.

“Dyfishimi i buxhetit. Rroga e mësuesit do të jetë 1500 euro dhe do të vazhdojë rritjen. Arsimi nuk do të ketë shkurtime në personel. Do zvogëlohet numri i nxënësve në klasa. Digjitalizimi i sistemit të plotë arsimor dhe aplikimi i teknologjive të reja”, tha Berisha.

Sipas tij, do hiqet mesatarja për në universitete. “Tarifat, të cilat janë sot për universitetet ndër më të lartat në Europë, shkojnë drejt reduktimit në tarifa sibolike, ose hiqen fare”, shtoi ai.

Berisha vuri në dukje po ashtu se pa shërbim shëndetësor nuk ka Shqipëri madhështore.

“Ndaj dhe ne, kemi vendosur, dhe ju premtoj sot ju këtu, se lista e barnave të rimbursueshme do të jetë pikë për pikë si ajo e republikës italiane. 100% e rimbursueshme. Ju garantoj, se do të dyfishohet buxheti për shëndetësinë”, theksoi ai.

“Dyfishimi i rrogave dhe pensioneve të mjekëve dhe infermierëve është kushti i të gjitha kushteve për një shërbim shëndetësor dinjitoz për qytetarët shqiptarë”, përfundoi Berisha.

 

Fraksion.com