ZPS-ja përmbyll paraqitjen e provave kundër ish-krerëve të UÇK-së
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar se ka përmbyllur paraqitjen e provave në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 3 prill 2023.
ZPS tha se në sallën e gjyqit thirri për të dëshmuar 125 dëshmitarë, paraqiti rreth 3.000 prova materiale dhe deri më tani ka bërë 1.430 parashtresa për këtë rast gjyqësor.
Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, sipas njoftimit, ka vlerësuar viktimat dhe dëshmitarët që kanë dhënë dëshminë e tyre gjatë gjykimit.
“Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë duartrokas kurajën e tyre, që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit”, tha West.
Pasi ZPS-ja ka përfunduar paraqitjen e provova, tani radhën e kanë ekipet e mbrojtjes.
Përderisa avokatë nga ekipet mbrojtëse të Veselit dhe Krasniqit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, avokati i Selimit, Geoffrey Roberts, tha se nuk dëshiron që në këtë kohë të komentojë për këtë çështje. Ndërkaq, avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, deklaroi vetëm se është ende herët për të diskutuar se si do të organizohet mbrojtja.
Më parë, më 13 nëntor të vitit të kaluar, Mishetiq kishte thënë për REL-in se ekipi mbrojtës i Thaçit nuk ka vendosur ende nëse do të thërrasë ndonjë dëshmitar.
“Nëse e bëjmë, nuk do të jenë më shumë se dhjetë dëshmitarë”, kishte thënë Mishetiq.
Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), beson se Prokuroria e Specializuar nuk ka arritur vetë të dëshmojë atë që kishte pretenduar në aktakuzë.
“Dy pjesë të aktakuzës që kanë qenë të rënda, ku thuhet se ka pasur ndërmarrje të përbashkët kriminale apo edhe zinxhir komandues… Në këtë pjesë mund të themi që Prokuroria, gjatë këtyre viteve, nuk ka qenë në gjendje të vërtetojë, në bazë të analizës tonë, se një gjë e tillë ka ekzistuar në praktikë”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Çka mund të presim tani?
Tani që topi ka kaluar në fushën e ekipit mbrojtës, gjithçka varet nga strategjia që vendosin ekipet mbrojtëse të të akuzuarve.
Sipas Miftaraj, opsioni i parë është kërkesa nga mbrojtja për hedhjen poshtë të aktakuzës.
“Nëse gjykata vlerëson se procesi gjyqësor duhet të vazhdojë, atëherë varet prej mbrojtjes se sa dëshmitarë do të ftojë, sa i duhet kohë për të përgatitur dëshmitarët e tyre. Pastaj nis faza e fundit, që është marrja në pyetje nga ana e mbrojtësve të viktimave, që gjithashtu mund të marrin kohën e tyre për të marrë në pyetje dëshmitarët e tyre”, thotë Miftaraj.
Megjithatë, ai pret që i gjithë procesi të mbyllet brenda këtij viti ose, më së voni, deri në pranverën e vitit të ardhshëm.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./REL
Fraksion.com