AktualitetKosovaTë fundit

Presidenca pranon letër nga Dehari lidhur me seancën konstituive

Presidenca e Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar letër nga Avni Dehari lidhur me seancën konstituive të legjislaturës së nëntë, që u ndërpre më 15 prill, më pak se dy orë pasi nisi.

“Letra sapo ka ardhur në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar presidentes hapat e mëtejmë”, tha këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina.

Nga Presidenca e Kosovës nuk dhanë detaje se çfarë përmbajtje ka letra që, kryesuesi i seancës konstituive, Dehari i dërgoi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjatë seancës konstituive, deputetët votuan kundër raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve të tyre, duke shtyrë kryesuesin Dehari që ta ndërpriste atë. Ai tha se do t’i drejtohej Osmanit me një letër për të sqaruar se si do të veprohet më tej.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës votuan kundër raportit, duke thënë se anëtarët e Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, është dashur që të japin dorëheqje zyrtarisht më herët, në mënyrë që të mund të betohen si deputetë të përbërjes së re parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje, e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, thanë se ekzekutivi është në dorëheqje që nga përfundimi i mandatit katërvjeçar më 23 mars.

Nga LVV-ja kanë akuzuar PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Listën Serbe – që abstenoi – se kanë shkaktuar një krizë, duke e futur shtetin në një terren të panjohur.

Njohësit e ligjeve në Kosovë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se presidentja Osmani, pas thirrjes së seancës së parë konstituive, nuk ka më kompetenca në menaxhimin e tyre.

“Roli i presidentes është i kufizuar vetëm te thirrja e seancës, e pastaj menaxhimi, përmbyllja e saj, votimi i pikave të rendit të ditës, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, janë të gjitha përgjegjësi e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e ku normalisht barrën më të madhe politike e ka partia e parë e cila duhet t’i sigurojë të paktën 61 numra në këtë drejtim”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Ndërkaq, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka cilësuar të gabuar adresimin e kësaj çështjeje te presidentja Osmani.

“Asnjë rol nuk ka presidentja aty. Është gabim”, ka thënë ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Hasani, rrugëdalja nga kjo situatë është që të arrihet një arrihet marrëveshja politike dhe të miratohet raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Miratimi i këtij raporti, do t’i hapte rrugë kalimit në pikën e radhës, atë të betimit të deputetëve, më pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – hapa të nevojshëm për konstituimin e legjislaturës së re parlamentare.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit, do të mund të bëheshin hapa drejt formimit të Qeverisë së re të Kosovës./REL

 

Fraksion.com