Manastirliu: Mbi 12 mijë fëmijë dhe 400 mësues të angazhuar në ekipet shkollore, investime për sportin në 450 shkolla
Ministrja e Arsimit dhe Sportit dhe drejtuese politike e PS për Tiranën, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se në programin e ekipeve sportive në shkolla janë angazhuar më shumë se 12 mijë fëmijë, 800 ekipe të basketbollit dhe volejbollit për vajza e djem dhe më shumë se 400 mësues të edukimit fizik.
Në fjalën e saj gjatë prezantimit të vizionit për sportin në Shqipërinë 2030 ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Manastirliu tha se “në gjithë këto vite ia kemi dalë të kthejmë sportin në vëmendje për të rritur kulturën sportive dhe për të promovuar jetesën e shëndetshme. Duke filluar që nga shkollat dhe duke vijuar me infrastrukturën sportive për ta bërë sportin dhe për ta kthyer në një motor të vërtetë ekonomik për vendin”.
Duke u ndalur tek disa nga projektet, Manastirliu tha se “këto projekte të rëndësishme kanë sjellë përfitime të mëdha pikë së pari në jetesën e shëndetshme, aktivizimin fizik dhe kulturën sportive për të gjitha moshat”.
“Dua të ndalem tek një prej programeve më të rëndësishme që ne kemi iniciuar në shkollat tona dhe që është programi i ekipeve sportive në shkolla. Përmes këtij programi, investim i qeverisë shqiptare përmes bashkëpunimit me KOKSH dhe federatat e basketbollit dhe volejbollit kanë arritur që në këto vite të angazhohen më shumë se 12 mijë fëmijë, 800 ekipe të basketbollit dhe volejbollit për vajza e djem dhe më shumë se 400 mësues të edukimit fizik të përfshirë në këtë program jashtëshkollor”, nënvizoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu tha se janë bërë investime në 450 shkolla.
“Kemi arritur që falë investimeve që kemi bërë në infrastrukturën shkollore në palestra, terrene sportive në 450 shkolla, 200 terrene sportive dhe palestra tërësisht të reja të investuara nga qeveria shqiptare. Kemi mundësuar që ky program i ekipeve sportive të ndodhet në fazën ku do të vijojmë me nxitjen e disiplinave të tjera ku synojmë që brenda 2030 ne të kemi edhe më shumë disiplina të përfshira në programin e ekipeve sportive dhe gjithashtu edhe më shumë investime sa i përket infrastrukturës sportive në shkollat tona”, theksoi Manastirliu.
Sipas saj, çdo shkollë deri në 2030 do të ketë infrastrukturë moderne, do të ketë jo vetëm palestra, terrene sportive, por edhe pajisjet përkatëse.
Gjithashtu, vijoi Manastirliu, do të ketë jo vetëm disiplina si basketbolli dhe volejbolli, por edhe disiplina të tjera ku nxënësit të mund të ushtrohen në shkolla.
“Një aspekt i rëndësishëm është jo vetëm programi mësimor, por edhe ai jashtëshkollor ku tashmë shkollat tona qendra komunitare janë të hapura dhe do të jenë pjesë e të gjithë instrumentit që do të ketë mundësi të zhvillojë jo vetëm nxënësit, aktivitetin fizik, por mbi të gjitha edhe pjesë e bashkëjetesës komunitare për të zhvilluar aftësitë, por edhe si një fidanishte ku do të dalin talentet dhe kampionët e të nesërmes në shumë disiplina sportive”, tha Manastirliu.
Fraksion.com