I sulmuan nipat e Agron Kapllanajt, BKH reagon për ngjarjen në Fier: Agjentët tanë dhe efektivët e policisë ishin duke hetuar
Byroja Kombëtare e Hetimit ka reaguar në lidhje me incidentin e regjistruar mbrëmjen e djeshme mes disa hetuesve të saj dhe disa të afërmve të ish-kryebashkiakut të Mallakastrës Agron Kapllanaj.
Sipas reagimit të BKH, ngjarja ndodhi rreth orës 19:20, ndërsa forcat ligjzbatuese ishin në terren për të kryer veprime hetimore të deleguara në kuadër të një hetimi për korrupsion dhe krim të organizuar.
“Hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier,” thuhet në deklaratë.
BKH sqaroi se të gjitha veprimet e ndërmarra nga hetuesit e BKH-së ishin në përputhje të plotë me ligjin dhe nën vëzhgimin e prokurorëve të posaçëm. Ngjarja po hetohet nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier.
“Integriteti dhe siguria e hetuesve të BKH-së dhe efektivëve të Policisë është thelbësore në angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar,” – theksoi deklarata.
Reagimi i BKH:
Byroja Kombëtare e Hetimit konfirmon sulmin që ndodhi mbrëmjen e datës 15 Prill kundër hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të Policisë së Shtetit në qarkun e Fierit.
Hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mbështetur në informacionin e përcjellë nga Drejtoria Vendore e Policisë, Fier (DVP) dhe verifikimet e kryera, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier.
Të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale lidhur me ngjarjen janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier.
SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm.
SPAK u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre. Integriteti dhe siguria e hetuesve të BKH-së dhe efektivëve të Policisë së Shtetit është thelbësore në angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Fraksion.com