AktualitetPolitikëTë fundit

Video udhëzuese: Hapat e votimit të diasporës për zgjedhjet e 11 majit

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tashmë ka nisur procesi i shpërndarjes së zarfeve me fletët e votimit për bashkatdhetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe që janë regjistruar në platformën elektronike PER.

Sipas videos , është operatori postar i kompanisë DHL që do të dorëzojë në adresën e deklaruar në PER, zarfin e dërguar nga KQZ. Dorëzimi i zarfit do të bëhet individualisht për çdo zgjedhës.

Brenda zarfit të ardhur nga KQZ, zgjedhësit do të gjejnë: zarfin e postës për kthimin e fletës, udhëzuesin, një listë me numrat e telefonit të DHL-së në shtete të ndryshme të botës.

Në zarfin B duhet të lexoni me kujdes udhëzuesin për procedurën e votimit, e dërguar nga KQZ. Më pas, nxirrni nga zarfi B, zarfin A dhe nxirrni prej andej me kujdes fletën e votimit.

Ju mund të votoni, pra të plotësoni fletën e votimit, në një nga mënyrat më poshtë: Vetëm për një parti ose koalicion ose vetëm për një kandidat.

Kujdes! Nuk mund të votohet për një parti apo koalicion dhe njëkohësisht për kandidatin e një partie apo koalicioni tjetër.

Pasi keni plotësuar fletën e votimit në një nga mënyrat më sipër, ripaloseni atë, futeni në zarfin A dhe mbyllni zarfin. Zarfi A nuk duhet të përmbajë asgjë tjetër veç fletës së votimit dhe mos bëni asnjë shënim mbi të.

Futeni zarfin A brenda zarfit B, mbylleni zarfin B, ngjiteni. Mos bëni asnjë shënim mbi të. Futeni zarfin B brenda zarfit të verdhë të operatorit postar DHL dhe mbylleni zarfin. Pasi të keni përfunduar, telefononi shërbimin ekspres DHL sipas vendit ku jetoni.

Këshillohet dorëzimi i zarfit me fletën e votimit brenda tri ditëve nga marrja e dokumentacionit zgjedhor me qëllim, që ai të mbërrijë në Shqipëri jo më vonë se ora 19:00 e datës 11 maj 2025. Posta është e paguar nga KQZ.

 

Fraksion.com