AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Barazinë para ligjit e solli PS dhe unë në krye, nuk erdhi nga qielli

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot, duke iu përgjigjur qytetarëve në rubrikën “Sy m’Sy” në platformat sociale, se ndihet krenar për Reformën në Drejtësi, për sa kohë qeveria socialiste në drejtimin e tij si kryeministër e ka dorëzuar “shpatën e ndëshkimit” te pushteti i drejtësisë, të pavarur nga pushteti ekzekutiv.

Kryeministri tha se, “po të shikosh, të gjithë ata që janë marrë nën hetim apo janë çuar para gjykimit nuk kanë qenë anëtarë qeverie në atë kohë, kanë qenë shumë përpara. Unë kam 12 vjet këtu, në ndërkohë ajo që nuk duhet ta harrosh se nëse juve flisni dhe ju erdhi dita të flisni për drejtësi, ministra, kryetarë bashkish, për persona të lidhur me pushtetin politik, por edhe ish-presidentë dhe ish-kryeministra që janë ana tjetër e medaljes, kjo nuk është një ditë që erdhi nga qielli kjo është një ditë që e solli Partia Socialiste e Shqipërisë me mua në krye. Kjo ditë është shprehja e vullnetit tonë absolut për të sjellë në Shqipëri atë që shqiptarët nuk e kanë pasur kurrë: barazinë para ligjit. Asnjëherë nuk e kanë pasur Shqipëria dhe shqiptari barazinë para ligjit, kurrë. Nga 1912 deri para pak vitesh nuk është bërë përpjekje që barazia para ligjit të kalojë në nivelin që të gjithë ta dinë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi rëndësinë e barazisë para ligjit, ku sipas Ramës nuk ka rëndësi si quhesh, nuk ka rëndësi nëse mbiemri yt është i njohur apo i panjohur, nëse je i pasur apo i varfër, nëse ke pushtet apo nuk ke, sepse nëse vjen të troket te dera drejtësia, je i barabartë me të tjerët.

Kreu i Ekzekutivit, nënvizoi faktin se një nivel i tillë drejtësie nuk ka ndodhur kurrë më parë, ndërsa shtoi se “në kohën e “bufit” vriteshin njerëz nga dritaret e kësaj zyre poshtë. Dhe kur prokurorja që tentonte të thërriste për të marrë në pyetje drejtuesit e forcave të rendit, pagëzohej nga kjo godinë “si lavire bulevardi” apo kur forcërisht pengohej nga Prokuroria që të merrej njeri në pyetje? Se kjo që po them unë nuk është një realitet i Shqipërisë së para një mijë vjetëve, por e para një dekade. Dhe kush i ka bërë këto hynere, sot po u thotë hajde ta bëjmë Shqipërinë madhështore”.

“Po ky Luli i 7X7, ku ishte ky? Ky ishte këtu poshtë, ma këndonte këtu poshtë himnin i mbyllur në çadër se nuk donte të votonte Vetting-un dhe Reformën në Drejtësi. E pra, sot flasin këta edhe sot tregojnë me gisht numërojnë njerëzit që thirren nga drejtësia dhe kujtojnë se më impresionojnë mua, ose torolisin shumicën e shqiptarëve që është shumë e qartë që nuk do kishte kurrë të tilla gjëra nëse nuk do isha unë në zyrë dhe PS në qeveri”, pohoi Kryeministri.

Gjatë përgjigjes së tij, Rama e cilësoi kreun e SPAK Altin Dumani si një burrë të zotin, të ndershëm dhe me integritet që ka qenë pjesë e sistemin të drejtësisë, si prokuror prej shumë vitesh, por asnjëherë sipas tij nuk i ishte dëgjuar emrin deri në momentin që atij iu dorëzua “shpata e drejtësisë”.

“Aty ishte prokuror, kishte thirrur Altin Dumani ndonjë njeri me pushtet, kishe parë ti që njerëzit me pushtet të shkonin të parakalonin para Prokurorisë? Me të gjitha kamerat aty si në festivalin e Kanës, i kishe parë ti gjithë këto gjëra? Po nga na erdhi ky Altin Dumani, nga Hëna? Jo! Ishte një prokuror këtu në Tiranë me vite të tëra, por nuk kishte “shpatë”. Se “shpata” ishte këtu tek kjo zyra këtu si pajisje që ia përcillnin njëri pas tjetrit të gjithë nga qeveria e parë, e dyta, e treta dhe pastaj mbreti, diktatori, presidenti dhe futi në burg kundërshtarin e tij politik kryetarin e PS, përmes një drejtësie kukull”, pohoi Rama, ndërsa shtoi se ishte ai që ia dorëzoi “shpatën” drejtësisë.

“Altin Dumanit me kompani meqë nuk i kanë lënë “rob shpie”, gjë pa i thënë për turpin e tyre, por që kanë gjithë solidaritetin tonë”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi deklaratat e kreut të PD-së që është shprehur se në 12 maj do të shkrijë SPAK-un, por Rama tha se “në 12 maj “bufi” do jetë duke u shkrirë në lotët e kënetës për atë do to ndodhë dhe kur të fillojnë të hapen kutitë dhe të dalë Noc Rroku aty”.

“Unë jam shumë krenar për Reformën në Drejtësi, për të gjitha ato që kemi bërë, sepse ne kemi bërë histori me këtë që të dorëzojë shpatën e ndëshkimit nga pushteti ekzekutiv te drejtësia e pavarur nga pushteti ekzekutiv. Kjo është rruga për t’u dhënë fëmijëve tanë një vend me barazinë para ligjit, një vend ku drejtësia të bëjë punën e vet, qeveri të bëjë punën e vet dhe të gjithë të bëjnë punën e tyre”, cilësoi Rama.

 

Fraksion.com