AktualitetPolitikëTë fundit

PL: Dyfishim të pensioneve dhe rrogë minimale 500 euro

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja deklaroi sot se programi i “Aleancës për Shqipërinë Madhështore” është konkret dhe i realizueshëm dhe garanton dyfishim të pensioneve dhe rrogë minimale 500 euro.

Në një deklaratë për medie, Merja u ndal te programi ekonomik, ndërsa u shpreh se ne duam një Shqipëri ku çdo qytetar të ketë mundësinë të jetojë me dinjitet dhe askush të mos ketë frikë nga e nesërmja.

“Varfëria në Shqipëri është kthyer në një plagë të hapur që kërkon ndërhyrje urgjente, është kthyer ne një fenomen që ka rënduar jetesën e mijëra familjeve dhe ka detyruar mijëra qytetarë të braktisin vendin. Sipas të dhënave të INSTAT, statistikat janë alarmante, rreth 42% e popullsisë në Shqipëri është e ekspozuar ndaj varfërisë ekstreme”, tha ajo.

Merja tha se programi i “Aleancës për Shqipërinë Madhështore” i garanton çdo qytetari shqiptar një jetesë dinjitoze, duke filluar me minimumin jetik që do të jetë 200 euro.

“Dyfishim të pensioneve, që gjyshërit tanë mos numërojnë qindarkat për të siguruar ushqim e ilaçe. Rrogë minimale 500 euro dhe mesatare 1200 euro, që të rinjtë të mos braktisin vendin, por të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri. Ulje të çmimit të energjisë elektrike në 7 lekë, që faturat mos rëndojnë familjet shqiptare”, tha ajo.

Merja theksoi se çdo qytetar me të ardhura minimale do të pajiset me kartën e konsumatorit, duke përfituar rreth 450 euro në vit.

“Ndryshimi nuk vjen brenda natës, por fillon me ndërgjegjësim, punë dhe vullnet për të ndryshuar këtë realitet të hidhur që sot kemi në Shqipëri. E ardhmja e një vendi nuk matet me luksin e pakicës, por me dinjitetin e shumicës. Kështu të gjithë bashkë në 11 maj të votojmë Nr. 1 PD – ASHM. Në 11 maj votojmë Ilir Metaj”, u shpreh Merja.

 

Fraksion.com