AktualitetKosovaTë fundit

Në Kosovë mbahet seanca konstituive e parlamentit të ri

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka bërë të ditur emrin e të nominuarit të saj për postin e kryeparlamentarit. Po ashtu nuk dihet, nëse kjo parti ka arritur të sigurojë votat e domosdoshme për formimin e qeverisë.

Vetëvendosja ka nevojë për bashkëpunimin me partitë shqiptare

LVV-ja më herët kishte deklaruar se preferonte të krijonte institucionet e reja me komunitetet joserbe, por ditët e fundit e ka pranuar se i duhet bashkëpunimi edhe me partitë shqiptare që kanë fituar vendet e tyre në Kuvend, në mënyrë që të mund ta formojë edhe qeverinë. Tri partitë më të mëdha opozitare deri tani kanë deklaruar se nuk duan të hyjnë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ka siguruar 24 vende në Kuvend, thonë se nuk do të marrin pjesë në votimin për kryeparlamentarin e ri gjatë seancës konstituive të Kuvendit, pa një “zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën”. Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka 20 deputetë në Kuvend, nuk ka saktësuar se a do ta votojë të propozuarin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar, por ka thënë se cilido person që nuk i ka 61 vota, nuk duhet të bëhet kryetar i Kuvendit të Kosovës. Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila bashkë me partneren e saj në koalicion, Nismën Socialdemokrate, kanë tetë deputetë në Kuvend, kanë theksuar se “në parim, do të votojnë për kryeparlamentarin e ri”, të propozuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

Të krijohet sa më shpejt qeveria e re

Autoritetet ndërkombëtare kanë kërkuar nga klasa politike në Kosovë që sa më parë ta krijojnë qeverinë e re. Në mesin e tyre, ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, thotë se Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme. “Më e rëndësishmja është që të kemi një qeveri të qëndrueshme me një shumicë të mirë dhe konsensus për të formuar qeverinë e re”, tha Rohde për mediet lokale, duke shtuar se në këto kohë të paqëndrueshme gjeopolitike, “ajo që është në interes të vendeve dhe të popujve është të kenë qeveri të qëndrueshme”.

Si parashihen procedurat për formimin e institucioneve të reja?

Sipas Kushtetutës së Kosovës, posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë që doli në zgjedhje, në këtë rast LVV-së, ndërkaq, partitë më të mëdha politike propozojnë një kandidat për nënkryetar, por edhe deputetët e komunitetit serb dhe ata të komuniteteve joshumicë duhet të propozojnë nga një deputet për postin e nënkryetarit. Kryetari dhe nënkryetarët zgjidhen me shumicë të votave dhe seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre.

Me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, hapet rruga për formimin e qeverisë së re. Pas konstituimit të Kuvendit dhe kryesisë, presidentja Vjosa Osmani, sipas ligjeve, obligohet të nominojë partinë fituese si mandatare për formimin e qeverisë së re. Kabineti qeveritar i propozuar duhet t’i sigurojë të paktën votat e 61 deputetëve nga 120 deputetë sa i ka Kuvendi i Kosovës. E Lëvizja Vetëvendosje, me 48 ulëset e siguruara në zgjedhje, duhet patjetër që të hyjë në koalicion me ndonjë parti tjetër në mënyrë që të mund ta formojë qeverinë.

Nëse Lëvizja Vetëvendosje dështon të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve, atëherë presidentja Osmani është e obliguar që brenda dhjetë ditësh të ftojë në konsultime partitë politike. Pas konsultimeve, është në diskrecionin e saj për të vendosur për mandatarin e ri, nëse ai dëshmon se ka numrat për të formuar ekzekutivin. Mandatari i ri më pas i ka 15 ditë kohë që t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar. Por, nëse qeveria nuk formohet as pas tentimit të dytë, atëherë presidentja Vjosa Osmani, sipas nenit 95 të Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë./DW

 

Fraksion.com