AktualitetPolitikëTë fundit

Sikorski: Mbështetja e shqiptarëve për integrimin në BE shtysë për të përshpejtuar negociatat

Në Luksemburg u zhvillua sot konferenca e katërt ndërqeveritare Shqipëri – BE, ku Shqipëria çeli grupkapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Europian – “Tregu i Brendshëm”.

Gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministrin Edi Rama, si dhe komisioneren për Zgjerimin e BE-së, Radosław Sikorski, ministri i Jashtëm i Punëve të Polonisë, vend i cili mban edhe presidencën e Këshillit të BE, u shpreh se “në situatën e përgjithshme aktuale gjeopolitike zgjerimi mbetet në pararojë të axhendës politike të BE-së”.

“Presidenca polake mbështet një zgjerim bazuar në meritë të BE-së dhe tashmë më shumë se kurrë mirëpritja e anëtarëve të rinj është një investim gjeostrategjik në paqe prosperitet dhe siguri”, vuri në dukje ai.

Sikorski theksoi se “në fakt ambicia e presidencës për të bërë progres në zgjerim qoftë në lindje, qoftë drejt Ballkanit Perëndimor, politika ambicioze e anëtarësimit dhe zgjerimit ka qenë diçka që kemi punuar pa reshtur qysh në krye të presidencës, sigurisht krah për krah me Komisionin”.

“E mbyllëm 2024 më një vizitë në Shqipëri dhe në fillim të 2025 pata mundësinë të prisja komisioneren Kos në Varshavë, zgjerimi i BE-së ishte në thelb të diskutimeve tona. Jam i lumtur që gjendem këtu sot së bashku me kryeministrin Rama dhe komisioneren Kos pas një konference shumë të suksesshme ndërqeveritare me Shqipërinë gjatë të cilës u çelën grupkapitujt e dytë të negociatave kushtuar tregut të përbashkët”, u shpreh Sikorski.

Sipas tij “kapitujt që hapëm sot janë jetikë për integrimin ekonomik të Shqipërisë për tregun e brendshëm të BE-së, ato mbulojnë fusha kyçe ekonomike. Reformat e nevojshme do të çojnë në përputhshmëri ekonomike me BE-në do të rrisin mundësitë tregtare dhe do ta bëjnë Shqipërinë më tërheqëse për investime”.

Ministri polak nënvizoi se konferenca e sotme shënon një hap të rëndësishëm të Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian. Sikorski tha se mbështetja e shqiptarëve për integrimin në BE ishte shtysë për të përshpejtuar negociatat

“Ju përgëzoj kryeministri Rama dhe qeverinë tuaj për përpjekjet tuaja dhe dedikimin e qartë ndaj rrugëtimit drejt BE-së dhe më duhet të përsëris veten për faktin se shumica dërrmuese e popullit shqiptar mbështet rrugën në të cilën ju jeni. Kjo është një shtysë pozitive për ne për të përshpejtuar procesin e negociatave. Përgëzoj Shqipërinë që është një partnere e besueshme në fushën e sigurisë si aleate e NATO-s dhe mbështetje e palëkundur e Ukrainës. Përgëzoj edhe qytetarët e Shqipërisë, sepse konferenca e sotme shënon një hap të rëndësishëm të Shqipërisë drejt integrimit në BE”, u shpreh Sikorski.

Fraksion.com