Rama: Të përkushtuar për përmbylljen e negociatave brenda 2027-s
Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot në Bruksel një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, me të cilin diskutoi progresin e bërë në procesin e negociatave, ku Shqipëria hap sot një tjetër grup-kapitujsh në Konferencën e katërt Ndërqeveritare.
Në një prononcim të përbashkët për medie nga Brukseli para takimit, Rama informoi se temë e takimit janë edhe përgatitjet e Samitit të Komunitetit Politik Europian më 16 maj, si edhe situata në rajon, ku Presidenti do të bëjë vizitën e tij të parë zyrtare në vigjilje të këtij samiti.
“Jam shumë i kënaqur që gjendem këtu me Presidentin e Këshillit Europian i cili me mençurinë e vëmendjen e tij ndaj vendit e rajonit tonë është diçka që e vlerësoj shumë. Sot sigurisht është një ditë shumë e mirë për ne, sepse kemi një tjetër Konferencë dhe çelim kapituj të tjerë, ndërkohë që me Presidentin jam shumë mirënjohës për kohën që më ka kushtuar për të zhvilluar një bisedë rreth përparimit që ne po bëjmë në këtë proces”, tha Rama.
Samiti i ardhshëm i Komunitetit Politik Europian, sipas Ramës, është një eveniment shumë, shumë i rëndësishëm në përgjithësi por ka një rëndësi të posaçme në këtë moment dhe në këtë kohë.
“Sigurisht edhe do të flasim për rajonin ndaj të cilit Presidenti është veçanërisht i përkushtuar. Kështu që ka shumë për të diskutuar, por në përgjithësi jam shumë, shumë i inkurajuar nga këto zhvillime”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit që është shumë ambicioz për të mbyllur të gjitha negociatat brenda vitit 2027”.
Fraksion.com