Rama: Axhendë ambicioze me KE për të mbyllur grup-kapitujt brenda 2027-ës
Shqipëria çeli sot grupkapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Europian – “Tregu i Brendshëm” në Luksemburg ku u mbajt konferenca e katërt ndërqeveritare Shqipëri – BE.
Në konferencën e përbashkët për shtyp pas konferencës së katërt ndërqeveritare, me Radosław Sikorski, ministër i Punëve të Jashtme të Polonisë dhe Marta Kos, Komisionere për Zgjerim e BE, kryeministri Edi Rama iu bashkua ministrit Sikorski në shprehjen e ngushëllimeve për popullin ukrainas pas sulmeve të Rusisë.
“Më lejo të bashkohem me ju në shprehjen e ngushëllimeve për miqtë tanë ukrainas dhe mbështes çdo fjalë që në mënyrë kaq elokuente thatë për atë çfarë ka ndodhur jo fort larg prej këtej në tokën evropiane si një krim i pamohueshëm”, tha Rama.
“Saktësisht 6 muaj më parë qëndroja këtu në këtë sallë pas çelëm bisedimet për grup-kapitullin 1. U rikthyem sërish më pas dhe çelëm bisedimet për grup-kapitullin 6 e sot jemi sërish këtu për të ecur përpara me grup-kapitullin 2 “Tregu i brendshëm””, theksoi kreu i qeverisë.
“Nuk mundem përveҫ se të shpreh fjalë mirënjohëse për Presidencën polake, për udhëheqjen e saj të qëndrueshme dhe angazhimin e palëkundur për ta ҫuar përpara këtë proces”, tha Rama
“Jemi absolutisht po kaq mirënjohës ndaj të gjitha shteteve anëtare të BE-së për mbështetjen e tyre për ta realizuar këtë gjë në mënyrë kaq pa pengesa saqë duket vërtet diçka që është habitëse për ne, duke pasur parasysh prej nga vijmë, prej betejash të gjata prej një kohe të gjatë”, u shpreh Rama.
Kryeministri falënderoi edhe Komisionin Evropian dhe Komisioneren Marta Kos, e cila, theksoi ai, “dikur thyente rekorde duke ҫarë ujin dhe u bë kampione e vendit të saj, tashmë është bërë kronometri i vendeve tona, që mban kohën, që ruan ritmin dhe që sigurohet që ҫdo lëvizje të na ҫojë përpara me disiplinë e me synim”.
Rama theksoi se, “së bashku me Komisionin dhe nën udhëheqjen mjaft të disiplinuar të Martës kemi rënë dakord për një axhendë mjaft ambicioze. Po presim me padurim që të sigurohemi së bashku që brenda 2027-ës të gjithë grup-kapitujt, jo vetëm të jenë ҫelur, por edhe të jenë mbyllur”.
“Është vërtetë superambicioze, por jemi këtu sot për të rikonfirmuar vullnetin tonë të fortë, vendosmërinë tonë dhe pasionin tonë të plotë për të arritur këtë objektiv”, tha Rama.
“Për Shqipërinë anëtarësimi në BE është shumë më tepër sesa një ambicie politike apo ekonomike, është një zgjedhje ekzistenciale jete. Nga një vend ku kurrë nuk jemi lejuar të zgjedhim për shekuj dhe breza të tërë tek një e ardhme të cilën gjithmonë kemi dashur ta kemi”, tha Rama.
“E dimë shumë mirë dhe e kemi mësuar në mënyrën më të vështirë që liritë tona individuale, barazia jonë përpara ligjit dhe mënyra e jetesës që duam për fëmijët tanë dhe për brezat tanë të ardhshëm nuk mund të garantohet askund tjetër përveç se brenda BE-së”, u shpreh Rama.
Fraksion.com