AktualitetPolitikëTë fundit

Konferenca IV Ndërqeveritare, Rama: Vetëm ne e dimë këtë rrugë, më pranë objektivit “Shqipëria 2030” në BE

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është sot një hap tjetër më pranë objektivit madhor, mbylljes së negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027, ndërsa theksoi se “Zoti e deshi që fati europian i Shqipërisë të jetë sot në dorën tonë”.

“Po si thanë kua-kua-kuatë e kënetës ‘nuk ka më hapje kapitujsh, iku kjo punë, e bllokoi BE-ja narkoshtetin’, se vetë ‘bufi’ shkoi në Europë bashkë me qirie Dulen dhe ‘as darkë më nuk i dhanë narkokryeministrit?’”, ironizoi Rama deklaratat e opozitës përmes një videomesazhi në rrjetet sociale.

Kryeministri bëri të ditur se është rrugës nga Brukseli në Luksemburg ku sot pasdite hapet grup-kapitulli i tretë i negociatave me Bashkimin Europian.

Kryeministri e cilësoi këtë “si një tjetër dëshmi kokëfortë se ne po ecim pa u ndalur në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030, zonjë në sallonin kryesor të BE-së.

“Ky i sotmi është një tjetër stacion që konfirmon se vetëm ne e dimë këtë rrugë dhe sot jemi një hap tjetër më pranë objektivit tonë madhor, mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027”, u shpreh Rama.

Sipas tij, “ky është një objektiv superambicioz, por plotësisht i arritshëm vetëm nëse qëndrojmë bashkë, pa humbur asnjë minutë, lidhur dorë për dore dhe vazhdojmë me të njëjtin përkushtim, seriozitet dhe unitet kombëtar në këtë rrugëtim historik”.

“E ardhmja europiane e Shqipërisë nuk është më një aspiratë, është një proces që po ecën përpara drejt portës së hapur për ne si asnjëherë më parë. Ky është momenti ynë, Zoti e deshi që fati europian i Shqipërisë të jetë sot në dorën tonë dhe ta fitojmë së bashku bastin historik të Shqipërisë me Europën, drejt Europës me Shqipërinë”, tha Rama.

Fraksion.com