AktualitetPolitikëTë fundit

Konferenca IV Ndërqeveritare, Berisha: Integrimi në BE, çështje kryesore e interesit kombëtar

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot, në një konferencë për shtyp, se për PD-në, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është interes kombëtar.

I pyetur mbi mbajtjen e Konferencës së katërt Ndërqeveritare me BE-në sot në Luksemburg, Berisha u shpreh se “ky takim është i vendosur për t’u mbajtur që katër muaj më parë”.

“Integrimin në BE e shpall çështje numër 1 të interesit kombëtar të Shqipërisë, yllin polar të programit tonë. Në këtë kontekst, në qoftë se ka një forcë politike që ka dëshmuar seriozitet të plotë në procesin e integrimit dhe ka arritur çdo objektiv që ka përcaktuar, kjo është PD. Sali Berisha nuk i shtrin dhe nuk do t’i shtrijë dorën asnjë njeriu, përveçse do të punojë fort për të zbatuar në këtë vend, për të arritur në këtë vend, për të ndërtuar në këtë vend standardet dhe kriteret evropiane, të cilat janë rruga më e sigurt e integrimit të Shqipërisë në BE”, theksoi ai.

Berisha solli në kujtesë liberalizimin e vizave për shqiptarët dhe anëtarësimin e vendit në NATO, dy zhvillime të rëndësishme që ndodhën gjatë qeverisjes së PD-së.

Berisha tha se “gjithë ky aktivitet antidemokratik i Edi Ramës, i Aleksandër Vuçiçit, jo vetëm i atyre, por edhe i të tjerëve, ka bërë që qeveria e re gjermane të dalë me një deklaratë me të cilën kthehet procesi i integrimit, mbetet në stand by, në kuptimin që nuk mund të ketë zgjerim tjetër për reformimin e BE-së. Dhe këtë e kanë në sintoni me qeverinë franceze. Dhe kur këta dy faktorë bëhen bashkë, të garantoj se ai mur është i pakalueshëm. Ai kalohet vetëm duke plotësuar çdo kriter, çdo standard. Dhe ju garantoj se atëherë bëhet plotësisht i kalueshëm. Nuk shkohet në BE me Taulant Ballën ministër, deputet. Ky i ka vënë të gjithë deputetët me dosje në mënyrë që të luftojnë për jetë ose vdekje për grabitje votash, përndryshe shkojnë të gjithë në burg”.

Berisha ftoi gjithë shqiptarët që nëse janë vërtet për integrimin, të votojnë forcën politike që ka dhënë prova të pakundërshtueshme se ajo integron.

“PD ka integruar vendin në Këshillin e Europës, ka firmosur Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE, ka liberalizuar vizat, ka marrë rekomandimin nga KE për statusin e kandidatit dhe ka marrë ftesën dhe ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO. Të gjitha këto në tetë vite. Pra, ata që kanë ADN-në e integrimit, ata dihet se kush janë dhe të mos mashtrohen me pasaportën false të Edi Ramës, të cilën sot për sot nuk e pranon askush. Shqiptarët kanë vetëm një alternativë për pasaportën evropiane, të ikin nga Shqipëria”, tha Berisha.

Fraksion.com