AktualitetPolitikëTë fundit

Konferenca e katërt Shqipëri-BE, Kos: Shqipëria është vërtet histori suksesi

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos theksoi sot në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Jashtëm polak Radosław Sikorski, në mbyllje të konferencës së katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE se Shqipëria është vërtet histori suksesi.

Sot, tha ajo, hodhëm një tjetër hap drejt zgjerimit, por që është më shumë sesa t’i shtosh një vend tjetër Bashkimit Evropian pasi është bashkimi i Evropës.

Ajo vuri në dukje se së bashku me ministrin e Jashtëm polak se ata janë brezi i 2004 dhe e dinë mirë se si ishin vendet kur aplikuan dhe se si janë tani 20 vjet pas.

Ajo falënderoi presidencën polake për angazhimin në mënyrë që të zhvillohej konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë.

Kos e cilësoi këtë hap rezultat të autoriteteve në Shqipëri për të realizuar reformat e kërkuara në shumë vite.

“Shpresoj që kjo të jetë një nga shumë festime gjatë këtij viti. Ne do donim t’i çelnim të gjithë grup-kapitujt negociues dhe të nisnim të mbyllnim kapituj sepse plani është që brenda vitit të hapnim të gjithë grup-kapitujt dhe vitin tjetër të nisnim të mbyllnim”, vijoi Kos.

“Duhet po ashtu ta shohim çeljen e grup-kapitullit sot, të tregut të brendshëm si shumë të rëndësishëm pas në një kohë kur proteksionizmi dhe tarifat po rikthehen në shumë pjesë të botës, puna jonë për këtë grup-kapitull është të heqim këto barriera, për të përmirësuar konkurrueshmërinë, për të siguruar standarde të larta të prodhimit, për të siguruar mundësi të shumta ekonomike për të dyja palët, për kompanitë në Shqipëri dhe për kompanitë në BE. Dhe po kështu, ka të bëjë me më shumë mirëqënie për të gjithë”, shtoi jo.

“Tashmë po marrim shumë nga përfitimet e tregut të përbashkët për Shqipërinë me integrimin gradual e ndërkohë vendi po hyn përmes planit të rritjes në Ballkanin Perëndimor që po e lehtëson biznesin dhe po forcon zinxhirin e vlerës europian për të krijuar mundësi të reja. P.sh Shqipëria është bashkuar më hapësirën e përbashkët të pagesave në euro. Shpresoj të nisim gjatë vjeshtës dhe kjo nënkupton që sipërmarrësit e rinj në Tiranë të marrin pagesa nga klientë në mbarë Evropën si biznese nga Vjena apo Brukseli”, tha Kos.

“Anëtarësimi i plotë më tej do të çlirojë të gjitha këto përfitime dhe ky është objektivi edhe në kuadër të mandatit të këtij komisioni. 2030 është në rregull. Për të arritur këtë angazhimet politike duhet të vazhdojnë sidomos në zona kritike si reforma në drejtësi, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, të drejtat e pronësisë, çështjet e pakicave dhe sigurisht edhe liria e shprehjes”, tha ajo.

“U tha që ka një përqindje të jashtëzakonshme në Shqipëri që është proeuropiane, më shumë se 95 %, më shumë se në të gjitha vendet e tjera kandidate dhe kjo duhet të shfrytëzohet për të angazhuar të gjithë sektorët e shoqërisë, komunitetet vendore. Duke folur nga eksperienca ime, nëse të gjithë njerëzit do ta ndjejnë se çfarë nënkupton e çfarë do të sjellë anëtarësimi, kështu do të jenë mirëfilli pjesë e BE. Ne po punojmë me një ritëm shumë ambicioz dhe nëse Shqipëria realizon zbatimin e reformave të nevojshme unë do të jemë avokati juaj më i mirë në Bruksel dhe në të gjitha vendet anëtare”, theksoi Kos.

“Kështu që mesazhi im për qytetarët shqiptarë është i qartë: e ardhmja e Shqipërisë është pa dyshim në BE. Sot ne jemi më pranë arritjes së këtij objektivi se kurrë ndonjëherë”, shtoi Kos.

Komisionerja theksoi se suksesi i Shqipërisë ka një ndikim më të gjerë sepse mund t’i tregojë të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor që me punë të madhe dhe me vendosmëri kjo mund të bëhet hap pas hapi.

 

Fraksion.com