Kallas: Shqipëria ka ndërmarrë hapa dhe reforma të mira
Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor ishte një nga temat kryesore në agjendën e takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme sot në Luksemburg – ndërsa ministrat e Jashtëm diskutuan tensionet në disa pjesë të rajonit dhe progreset e bëra nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia në përmbushjen e kushteve të anëtarësimit të tyre në BE.
Këshilli i Punëve të Jashtme, i kryesuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, do të trajtojë më tej mbështetjen e BE-së për Ukrainën dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, e ndjekur nga Dialogu i parë i Nivelit të Lartë BE-Autoriteti Palestinez.
“Gjatë takimit sot dhe dje me ministrat e Ballkanit Perëndimor zhvilluam diskutime shumë të mira për Ballkanin Perëndimor”, tha sot Kallas.
“Është e qartë se stabiliteti dhe siguria e rajonit është thelbësore dhe nëse shikoni hartën – Ballkani Perëndimor ndodhet në Evropë dhe gjeografikisht duhet të jetë gjithashtu në Bashkimin Evropian”, tha ajo.
“Nga ana tjetër, procesi i zgjerimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ne duhet të ecim përpara. Ne po shohim që Shqipëria dhe Mali i Zi janë duke bërë vërtet hapa dhe reforma të mira. Pra, shpresojmë se do të kemi disa histori suksesi”, tha Kallas.
“Ndërsa Bosnjë- Hercegovina është në një krizë kushtetuese, është e qartë se çdo përpjekje për të përçarë Bosnjë- Hercegovinën është e papranueshme. Liderët politikë duhet të tejkalojnë mosmarrëveshjet për të mos i zgjeruar ato. Kur isha atje, vura re gjithashtu se zgjerimi është diçka, që të gjithë binin dakord”, tha ajo.
“Pra, ata duhet të ecin përpara me vendimet në këtë drejtim – sepse kritikat për ndërhyrjen ndërkombëtare mund të jenë. Dua të them, ndërhyrja ndërkombëtare mund të hiqet gradualisht nëse shihet se të gjithë janë në gjendje të marrin vendimet e tyre vetë”, shtoi Kallas.
“Dhe së fundmi, çeshtja Serbi-Kosovë, është e qartë se normalizimi i marrëdhënieve të tyre është e një rëndësie të madhe. Dhe kjo është arsyeja pse dialogu i Beogradit duhet të vazhdojë. Ne kemi caktuar një përfaqësues special për dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen”, tha shefja e BE-së.
“Gjithashtu, unë do t’i vizitoj vendet në maj. Ajo që u diskutua dhe u tha shumë qartë edhe nga vende të ndryshme anëtare është se çdo pjesëmarrje në 9 maj, parada apo festime në Moskë nuk do të merret lehtë nga pala evropiane – duke pasur parasysh se Rusia – me të vërtetë – po bën një luftë në shkallë të gjerë në Evropë”, tha Kallas.
Fraksion.com