AktualitetPolitikëTë fundit

“Intervistat si në epokën e gurit”, Dumani për kritikat e Ramës: Dëshmitë do jenë në godinën e re të BKH

Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një deklaratë të fundit në mbledhjen e KLP është ndalur tek performanca e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke theksuar se mes tyre ka profesionistë të shkëlqyer, por edhe të tjerë që lënë për të dëshiruar.

Ai theksoi rëndësinë e procesit të rregullt të vlerësimit, i cili zhvillohet çdo dy vjet nga BKH dhe Prokurorët e Posaçëm, për të garantuar standarde të larta në hetime.

Ai vuri gjithashtu në dukje se kushtet aktuale të punës në godinën ekzistuese nuk janë të përshtatshme për ushtrimin efektiv të detyrës. Sipas tij, mbipopullimi në zyrat e hetuesve, ku deri në pesë persona ndajnë një hapësirë, krijon vështirësi serioze, sidomos në marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Megjithatë, Dumani u shpreh optimist për përmirësimin e situatës me përfundimin e godinës së re të SPAK, e cila pritet të jetë gati brenda këtij viti. “Në godinën e re janë planifikuar dhoma të veçanta për marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe të pandehurve, të pajisura me audio dhe video, elementë thelbësorë për garantimin e një procesi hetimor të standardizuar dhe transparent,” tha ai, duke adresuar këto shqetësime që ishin ngritur më parë edhe nga kryeministri Rama.
Fraksion.com