I mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë: Turpi nuk është i yni
“Vdekja për mua do të ishte paqe”, tha Ramadan Nishori, burri i parë që publikisht e pranoi se është dhunuar seksualisht nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ai e pranoi këtë gjatë një diskutimi të hapur në ambientet e “Kino Armata” në Prishtinë, me rastin e shënimit të 14 Prillit – Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ngjarja ishte organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Nishori kujton se në vitin 1998, kur ishte vetëm 22 vjeç, u dhunua nga policët serbë në stacionin policor të Drenasit. Ai tha se një përvojë e tillë “nuk harrohet kurrë”.
“Dy policë serbë më futën me forcë në një banjë dhe njëri prej tyre me dhunoi seksualisht. Të njëjtit më kërcënuan të mos tregojë asgjë për këtë krim”, rrëfeu ai.
Heshtja e dhimbja e ndoqën Nishorin për vite me radhë.
Ai tha se nuk e ka harruar atë që ka përjetuar, “por nuk dua të mbetem rob i së kaluarës”.
“Nuk doja të dinte askush, sepse mendoja se do më paragjykonin, do të më bullizonin. Natën dilja fshehurazi nga shtëpia, qaja, bërtisja, dhe pastaj kthehesha. Turpi ishte më i rëndë se dhimbja”, kujtoi ai në një intervistë me psikologen e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Selvi Izeti.
I mbyllur në vetvete për shumë vite, Nishori u largua nga vendlindja dhe u vendos në Fushë Kosovë.
Vetëm në vitin 2005, mori guximin që t’i tregonte bashkëshortes dhe tre fëmijëve të tij për dhunën me të cilën u përball më 1998.
“Pranimi dhe përkrahja nga familja më bëri të ndihesha më në fund një bashkëshort dhe baba i vërtetë”, u shpreh ai.
Nishori theksoi se ndihma profesionale që ka marrë nga QKRMT-ja ka qenë thelbësore në rrugën e tij drejt shërimit, duke u liruar nga traumat dhe që të jetojë pa frikë nga paragjykimet.
“Diku sot po na sheh një tjetër i mbijetuar i dhunës seksuale. E di se çfarë po kalon. Dua t’i them se ka shpresë dhe nuk duhet dorëzuar kurrë. Turpi nuk është i yni – turpi është i atyre që na e bënë”, tha ai.
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se ky moment nuk është vetëm një rrëfim personal – është një akt guximi që sfidon heshtjen, thyen tabutë dhe hap një kapitull të ri në historinë e drejtësisë dhe dinjitetit për të mbijetuarit e dhunës seksuale në vendin tonë.
“Pas më shumë se dy dekadash stigmatizim, frikë dhe heshtje, rrëfimi i tij shënon një hap të jashtëzakonshëm përpara për gjithë shoqërinë tonë,” ka shkruar Rushiti në Facebook të QKRMT-së.
Rushiti tha se ky rrëfim është një thirrje për pranim, mbështetje dhe ndërtimin e një kulture ku edhe burrat, si viktima të dhunës, mund të flasin pa frikë e pa turp.
Numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99, nuk dihet. Por, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë. Megjithatë, statusin ligjor si të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës e kanë marrë vetëm afër 2.000 persona.
Selvi Izeti, psikologe në Qendrën e Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se më shumë se 20 vjet pas mbarimit të luftës, çështja e dhunës seksuale ndaj burrave vazhdon të mbetet e heshtur dhe e fshehur.
Sipas saj, për dallim prej disa grave, burrat vazhdojnë të mos flasin, duke mos kërkuar as trajtim e as njohje të statusit.
“Mund të them se stigma që i rrethon të mbijetuarit meshkuj është shumë më e theksuar sesa stigma që i rrethon të mbijetuarat vajza dhe gra që përballen me dhunën seksuale. Kjo për faktin se meshkujt janë rritur me besimin se duhet të jenë të fortë edhe duhet të jenë të aftë që të mund ta mbrojnë veten”, kishte thënë Izeti.
Mandati i këtij Komisioni ishte zgjatur gjithashtu dy vjet më parë dhe ishte i vlefshëm deri më 15 maj të këtij viti.
Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, mandati i ri do të zgjasë deri më 15 maj të vitit 2028.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria e Kosovës vendosi ta zgjasë edhe afatin për aplikim për njohje të këtij statusi deri më 15 maj të vitit 2027.
“Me kurajë të jashtëzakonshme, sot, Ramadan Nishori theu heshtjen dhe u bë zëri i parë publik i burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo është një thirrje e fuqishme për shoqërinë që të mbështesë edhe burrat e tjerë të mbijetuar, të cilët vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe vështirësi të shumta në kërkimin e të drejtave që u takojnë “, tha kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më 14 prill, pas homazheve pranë Memorialit “Heroinat”, në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë./REL
Fraksion.com