Costa: Inkurajuese progresi që ka bërë Shqipëria në rrugëtimin drejt BE-së
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e cilësoi sot inkurajuese progresin që ka bërë Shqipëria në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në një prononcim për mediet pas takimit me kryeministrin Edi Rama, i cili ndodhet sot në Bruksel në kuadër të Konferencës së IV Ndërqeveritare, Costa tha se “zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor është një përparësi e qartë për Bashkimin Evropian dhe është investimi më i rëndësishëm gjeostrategjik për paqen, begatinë dhe stabilitetin e kontinentit tonë”.
“Sot po çelim një grup kapitull tjetër dhe ambicia jonë është të çelim dhe më tej grup kapitujt për t’u negociuar gjatë këtij viti sepse kemi një kalendar shumë konkret dhe duam të realizojmë dhe kjo është shumë e rëndësishme për BE-në dhe për Shqipërinë dhe kjo është një shenjë mjaft e rëndësishme edhe për rajonin sepse mënyra më e mirë për të garantuar mirëqenien, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është me BE-në, anëtarësimin në të”, nënvizoi Costa.
Presidenti i Këshillit Evropian bëri të ditur se në mesin e muajit maj do të vizitojë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ja pse do vizitoj personalisht rajonin në mes të muajit maj për të vizituar të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor për të rritur bashkëpunimin dhe përpjekjet tona të përbashkëta për të pasur rezultate të mira të anëtarësimit”, theksoi Costa.
Nga ana tjetër, vijoi Costa, kjo është një mundësi shumë e mirë për të folur për Samitin e Komunitetit Politik që do mbahet më 16 maj në Tiranë.
“Evropa është më shumë se BE gjithmonë e më shumë është e rëndësishme që të jemi të gjithë së bashku të bashkuar sepse të bashkuar jemi më të fortë dhe bota ka nevojë për një Evropë më të fortë”, përfundoi Costa.
Fraksion.com