AktualitetPolitikëTë fundit

PS çel fushatën, Rama: Vetëm PS ka në dorë fatin europian të vendit!

Partia Socialiste çeli sot fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit në sheshin “Skënderbej”.

Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria ka shansin që të mbyllë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian brenda dy viteve të ardhshme, duke hyrë në familjen europiane deri në vitin 2030.

Rama deklaroi se PS dhe askush tjetër ka në dorë fatin europian të Shqipërisë.

“Mendoni që fati ynë të na sillte në një përballje të tillë në një përballje si përfundimtare në historinë tonë të gjatë dhe të mundimshme duke na e dhënë neve shqiptarëve të dekadës së 3-të të shekullit të 21-të shansin që t’ia ndryshojmë përgjithnjë rrjedhën historisë. Tamam këtu, tamam tani, mu në një kryqëzim mes një palë zgjedhjesh politike për partinë që do të qeverisë 4 vjet dhe një mundësie historike për Shqipërinë që në vetëm 4 vjet mund të bëhet zonjë – anëtare e familjes së bashkuar europiane”, tha Rama në hapjen zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 11 majit.

Rama theksoi se socialistët kanë 30 ditë përpara për t’u lidhur dorë për dore me çdo shqiptar që e do zonjën e Shqipërisë në sallonin e BE-së dhe veten e vet – qytetar të barabartë të Europës.

“Prandaj është krejt ndryshe nga të gjitha herët e tjera mbledhja jonë sot këtu, në këtë shesh, ku qëndron dëshmitar dhe udhërrëfyes stoik shembëlltyra e profetit tonë kombëtar hipur mbi kalin e historisë së shqiptarëve. Ka thënë dikur një mendimtar europian: ‘Nëse është e vërtetë, siç e pohon edhe vetë Kurani, se Zoti i ka dhuruar çdo populli një profet në gjuhën e tij, Shqipëria pati Skënderbeun profetin e pavarësisë së saj, heroin që mbolli farën e madhështisë dhe fateve të lume të kombit të tij”, tha Rama.

Rama theksoi se shqiptarët i hynë detit në këmbë dhe përmes tyre dhe socialistët u frymëzuam e panë se njësoj si çdonjëri prej tyre, edhe Shqipëria jonë mund t’ia dalë kombëtarisht përmes shtetbërjes europiane.

Kryeministri e cilësoi “rast unikal, madje irracional në histori dhe në mozaikun komplet të çakërdisur të gjeopolitikës ballkanike faktin se populli shqiptar ka dhënë pa kursyer për Europën edhe atëherë kur vetë Europa qëlloi të ishte e mbytur nga mosbesimi”.

“Popull i cilësuar si indiferent mosbesues, madje shpërfillës nga çdo besim. Mes mijëra stërmundimesh shqiptarët mësuan të besonin në një thellësi të madhe, sepse mësuan të shpresonin përkundrejt çdo humbje të shpresës. Dhe është ai zëri gjëmues mbi male e para klithmë ekzistenciale për të dëshmuar arbërorin me trup e shpirt në mes të Europës”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi kronika të kohës duke shtuar se “arbërorët në mes betejash të mëdha me Perëndimit dhe Lindjes ishin populli i vetëm autokton mbi të cilin paraardhësit e Europës së sotme mund të mbështeteshin për të ngadhënjyer pa u zhgënjyer”.

“Më 1308 dhe më 1332 murgj, që historia i ka regjistruar si anonimë, a thua se patën ardhur në jetë vetëm për t’i bërë jehonë mrekullisë arbërore në mes të pezmit ballkanik, me një entuziazëm të pashoq shkruajnë: ‘Ky popull mezi pret të solidarizohet me Perëndimin, të bëhet pjesë e betejave dhe idealeve të tyre kurdoherë që i shtrihet dora e besimit’. Dhe po me atë zë gjëmues në male, profeti ynë Gjergji i bën të qartë në shekullin e 15-të edhe asaj Europe të ngasur me prapakthime, se çmimin për të qenë pjesë e familjes të cilës i përket, arbërori e përcakton vetë, jo si një i përkëdhelur i fatit, as si një mercenar, por si një rob i virtytit dhe si një fanatik i vendosur të jetë guri i rëndë në vendin e vet”, tha Rama.

 

Fraksion.com