AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Pasaporta shqiptare e BE-së, dinjiteti ynë kombëtar europian

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se, “zgjedhja e 11 majit është historike në çdo aspekt që nga siguria kombëtare, tek sundimi i ligjit dhe patjetër, tek mirëqenia ekonomiko-sociale”.

Në çeljen zyrtare të fushatës elektorale të Partisë Socialiste nga sheshi “Skënderbej”, Rama theksoi se, “pasaporta e BE-së për shqiptarët, nuk është një tjetër dokument udhëtimi por një status i ri për ne qytetarët si banorët më të vjetër të këtij kontinenti, që mbase si askush tjetër në këtë kontinent kemi kaluar nga piciri në picir dhe kurrë nuk i jemi dorëzuar dëshpërimit, por i jemi dorëzuar vetëm ëndrrës që na është rreshtuar si ylli i fatit, në një vijë me yjet e Europës, si një ëndërr e vjetër”.

Rama theksoi se, “pasaporta shqiptare e BE-së është dinjiteti ynë kombëtar europian, i cili bëhet i padiskutueshëm nga askush, është dinjiteti i shqiptarëve dhe ata në Greqi janë të parët, që më vijnë në mend, që me pasaportën e BE-së nuk do të kenë më nevojë për asnjë dokument tjetër për njohje nga shteti atje, të ekzistencës së ligjshme të tyre atje, duke filluar nga njohja e viteve të punës, që do t’u bëhet automatike sapo të marrin pasaportën shqiptare të BE-së, sepse pensioni do t’u njihet si qytetarë të BE-së”.

Gjithashtu, vijoi Rama, pasaporta shqiptare e BE-së është “dinjiteti i fëmijëve tanë kudo qofshin me pasaportën e BE-së, nuk do të jenë më të huaj në territorin e BE-së, po do të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe privilegje, njësoj si nxënësit dhe studentët e BE-së”.

Pasaporta shqiptare e BE-së, vazhddoi Rama, “është dhe dinjiteti i çdo shqiptari që kur të udhëtojë me atë pasaportë nuk do të ndalet më nga asnjë polic dhe nuk do të hyjë më në asnjë radhë të vaçantë si “dele të zeza”, sepse BE nuk do të jetë më e atyre, BE do të jetë Shqipëri dhe Shqipëria BE.

Dinjiteti i kujtdo me pasaportën shqiptare europiane, që do të kërkojë punë kudo në Europë, do të ketë të drejta dhe privilegje si çdo qytetar i BE-së, duke përfituar nga i njëjti sistem i sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore në rast nevoje”, deklaroi Rama.

Fraksion.com