AktualitetNATO/BETë fundit

PD i kërkon KQZ-së: Kandidatët e PS që nuk japin dorëheqje nga posti, të mos lejohen të marrin pjesë në zgjedhje

Zëdhënësja për Antikorrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli reagoi sot pas përgjigjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me listën e kandidatëve të PS që kanë hequr dorë nga funksionet zyrtare pas shpalljes së kandidimit për zgjedhjet e 11 majit.

Sipas KQZ-së janë deklaruar të pezulluar apo dorëhequr nga funksioni vetëm 35 kandidatë nga lista e plotë e kandidaturave të PS. Zëdhënësja për Antikorrupsionit në PD, shprehet në këtë deklaratë se “PD po ndjek me vëmendje zbatimin e detyrimeve ligjore për të gjithë kandidatët e jo vetëm këta 35”.

“Në përmbushje të nenit 69 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe sa i takon Kodit Zgjedhor si ligje supreme mbi të gjitha ligjet e tjera, dhe përmbushjes së nenit 63 pika 4/g të tij, ligjvënësi ka përcaktuar në mënyrë taksative “heqjen dorë” si detyrim ligjor që duhet të përmbushet nga secili kandidat, që do të thotë largimin nga detyra shtetërore dhe nuk ka lënë asnjë hapësirë opsionale si “pezullimi” që nënkupton ndalimin përkohësisht të funksionit ose ndërprerjen e tij për njëfarë kohe për t’u rikthyer në detyrë në pamundësi të fitores së mandatit të deputetit”, tha Vangjeli.

Më tej, ajo shtoi se “Partia Demokratike kërkon nga KQZ të mos trajtojë si të barazvlefshme “heqjen dorë” me “pezullimin” dhe të përjashtojë kandidatët për disa arsye si moszbatim të Kushtetutës neni 69; moszbatim të Kodit Zgjedhor, nenin 63 pika 4/g; moszbatim të Deklaratës për pranimin e kandidimit, etj.

Vangjeli shtoi se “kategoritë e funksionarëve shtetërorë të përcaktuar në nenin 69 të Kushtetutës nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra”.

 

Fraksion.com