AktualitetPolitikëTë fundit

“Braktisini profetët e rremë”, Rama: Besojeni Shqipërinë 2030 në BE!

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, në çeljen zyrtare sot të fushatës elektorale të PS nga sheshi “Skënderbej”, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të bashkohen si gishtat e njërës dorë për t’i dhënë të nesërmes ngjyrën e fatit evropian të Shqipërisë.

“Në javën e fitores sonë që do të mbyllet në këtë shesh nga vetë Evropa, që në 16 maj për herë të parë në histori do ta ngrejë tendën nën hijën e profetit dhe në atë tendë do të ulen në një sofër të madhe të gjithë udhëheqësit e popujve të kontinentit demokratik evropian”, tha Rama, duke nënvizuar thirrjen që për herë të parë të lihen pas krahëve llogoret partiake dhe fanelat e tifozllëkut partiak.

“Le të ngrihemi këtë herë të gjithë së bashku në lartësinë e takimit me historinë që na ka ardhur në derë dhe të mos lejojmë kurrësesi në asnjë mënyrë që porta e hapur e shtëpisë së madhe në Evropën e bashkuar të mbyllet për shkak të shpërqendrimit tonë nga shënjestra e përcaktuar e fatit të Shqipërisë, qysh kur ai burrë mbi kalë la për brezat profetësinë e tij. Vetëm duke lexuar këtë profetësi kombëtare, e cila është përkthyer në qindra-mijëra tekste të shkruara nga luftarët e mendimit shqip – për të cilën koha s’pret dhe dasi nuk pranon – ne do të jemi në lartësinë e duhur për historinë. Vetëm duke çuar në vendin e duhur atë amanet, ne do të jemi të denjë për etërit që na dhanë emrin, alfabetin, flamurin, Shqipërinë”, pohoi Kryeministri.

Sipas Ramës, shqiptarët do ta meritojnë në fund fatin evropian që nuk e kanë merituar dot për shkak të atyre që e kanë marrë peng këtë vend dhe e kanë kthyer me sytë nga Azia.

“Do të meritojnë ngazëllimin e tyre, se më bukur se kudo tjetër shprehet me fjalët e pavdekshme të Gjergj Fishtës: Si erdh tu regj mendja e shqiptarit, prapë për të gzuem lirinë jetike, trashëgimi lanë atij prej të parit, sa u bâ gjaku e medeti, sa u tuer rrêna edhè tradhtija, dér qi duel Shqypnija m’veti, si premtue kisht’ Perendija”, u shpreh Rama, duke cituar fjalët e vjershës së Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcisë”.

“Besojini kësaj profetësie, me bindje dhe kahje të tjera se është ndryshe jo për ne, dhe as për ju, por është ndryshe për Shqipërinë tonë të përbashkët dhe bashkohuni me Shqipërinë tonë. Besojeni Shqipërinë 2030 në BE, braktisini profetët e rremë, braktisini qeniet qesharake që predikojnë madhështira qesharake apo që ofrojnë barna popullore për hallet e problemet tuaja, të cilat mund t’i zgjidhim vetëm së bashku dhe vetëm të bashkuar për të qenë në lartësinë e historisë së Shqipërisë me Evropën dhe të Evropës me Shqipërinë”, pohoi Rama.

Kryeministri theksoi sërish rëndësinë e këtij besimi për Shqipërinë në BE, duke risjellë vargjet e Naim Frashërit, në vjershën “Kam shumë shpresë”.

“Sot është koha për këtë besim të lartë, është një besim shumë i lartë, më shumë se kurrë sot është dita që Naimi e pa dhe u ngazëllye kur këndoi: Jak e vërtetë, pse rri e qetë? Për Shqipërinë ditët e mira paskëtaj vinë, shkoi errësira, lum kush të rronjë, ta shohë zonjë!”

“Dhe zonjë Shqipëria bëhet kur ne bijtë dhe bijat e saj, t’ia vendosim mbi kokë kurorën me 12 yjet që flamuri evropian i huazoi kurorës së zonjës lart në qiell, asaj zoje nënë e pelegrinëve që shpresoi që si pajtore e Shqipërisë kremtohet pikërisht këtë muaj, njësoj siç populli me traditë kremton po këtë muaj lindjen e Shën Gjergjit të shqiptarëve, Gjergji i Kastriotëve, ati i shqiptarëve”, nënvizoi Rama.

Në mbyllje të fjalës së tij nga sheshi “Skënderbej”, Kryeministri Rama uroi që “nana e shqiptarëve të sjellë këshillën e mirë dhe bekimin për misionin e pelegrinazhit të shenjtë drejt tokës së premtuar në atë shtëpinë ku na pret këndi ynë”.

“Rroftë Shqipëria si gjithë Evropa, rroftë Evropa e gjithë shqiptarëve!”, e mbylli fjalimin e tij, Kryeministri Rama.

Fraksion.com