AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Korrupsioni do të shpallet vepër penale e rëndë, krijojmë ministrinë e Familjes

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi sot në Tiranë, programin elektoral duke premtuar përparësi në ringritjen e arsimit dhe shëndetësisë.

Në fjalën e tij, Berisha premtoi dyfishimin e buxhetit për këto sektorë dhe një rritje të konsiderueshme të pagave për mësuesit.

Ai theksoi se rrogat e mësuesve do të jenë disa herë më të larta se sa ato aktuale, duke garantuar një minimum prej 1500 eurosh për çdo mësues në Shqipëri. Po ashtu Berisha shtoi se teknologjia do të bëhet pjesë e çdo shkolle dhe studentët shqiptarë do të jenë konkurrues me ata të moshës së tyre në botë.

Ai tha se qeveria e tij do të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit.

“Shqipëria madhështore ka nevojë për të pastruar shtëpinë e saj. Korrupsioni do të shpallet vepër penale e rëndë dhe ata që janë të përfshirë në të, duke përfshirë ministra dhe kriminelë, do të përgjigjen para ligjit”, u shpreh Berisha.

Berisha më tej tha se do të krijohet ministria e Familjes. “Familja shqiptare ka qenë dhe mbetet faktori themelor i ekzistencës së kombit shqiptar”, tha Berisha.

Sipas tij, “familja shqiptare njohu këto kohë një agresion që nuk e kishte përjetuar kurrë në historinë e saj”.

“Qeveria e ardhshme do ketë Ministrinë e Familjes, e cila do zbatojë politikat më të avancuara të mbështetjes së familjes shqiptare. Familja do mbështetet me bonuse për fëmijën e parë, për fëmijën e dytë, 70 euro, 60 euro. Do mbështetet nga lindja gjer në 23 vjeç për çdo gjë për fëmijën e tretë”, u shpreh Berisha.

Sa i takon nënave kryefamiljare, Berisha “i garantoj ato se qeveria e ardhshme do bëjë gjithçka për të lehtësuar, për të zgjidhur çdo mungesë dhe çdo problem që ato kanë. Se fëmijët e tyre do kenë 200 euro minimumin jetik. Se qeveria do bëjë gjithçka për suksesin e bizneseve të tyre”.

“Ne zotohemi këtu para jush se me vendosmërinë më të madhe do rrëzojmë murin e patriarkisë, këtë dhunues të verbër të të drejtave të njeriut. I garantoj gratë dhe vajzat se do bëhet gjithçka për suksesin e tyre. Se bizneset e tyre do mbështeten me linja të veçanta. Se ato që quhen shtëpiake do shpërblehen për punën e tyre”, tha Berisha.

Berisha tha se Rinia është fokusi i programit të PD.

“Programi ynë i Shqipërisë Madhështore, po të kishte një emër të dytë, do ishte programi i rinisë shqiptare.  Do bëjmë gjithçka për shkollimin e tyre, për punësimin e tyre, çatinë e tyre, për biznesin e tyre. Do bëjmë gjithçka që jo vetëm këta që janë këtu, por dhe ata që kanë ikur, të rikthehen në dheun e tyre dhe të ndërtojnë ëndrrën në Shqipëri. Të kthehen dhe t’i japin Shqipërisë të ardhmen që meriton. Ndaj dhe programi ynë ka në themel mbështetjen e fuqishme për rininë shqiptare”, tha Berisha.

Fraksion.com