“Shehaj në timon”: Do të sjellim ndryshimin! ‘Mundësia’ çel fushatën me autobus, e nis nga Shkodra
Partia Mundësia çeli zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit këtë të premte. Me autobusin elektoral, kryetari i Partisë Agron Shehaj së bashku me kandidatet kanë nisur që prej mëngjesit të së premtes turin nga qyteti i Shkodrës, ku pati takime me qytetarët të cilët shprehën mbështetjen e tyre për këtë forcë të re politike që garon me numrin 10 në fletën e votimit.
Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj u shpreh se gjatë gjithë kësaj periudhe, në takimet në terren, ka gjetur mbështetje dhe pëlqyeshmëri nga qytetarët për programin e forcës politike që ai drejton. Kjo, tha ai për arsyen sepse shqiptarët në këto zgjedhje duan dhe presin ndryshimin e qeverisjes së vendit.
Të gjithë ne e kemi nisur në jetë nga hiçi. Mos u merr me politikë, është e sigurt që merret politika me ty. Më besoni, mungon 1 muaj thuajse nga zgjedhjet, 1 muaj nuk është pak. Ne për fatin e mirë kemi mbështetje dhe një pëlqyeshmëri shumë të lartë. Sepse realisht shqiptarët duan ndryshimin dhe ne jemi e vetmja forcë politike që ndryshojmë nga partitë e vjetra dhe ndryshojmë dhe nga partitë e reja që duken sikur janë të reja por me aq pushtet sa kanë pasur janë sjellë më keq se të vjetrat.
Më tej Shehaj u bëri thirrje qytetarëve që më 11 maj të votojnë për ndryshimin dhe premtoi se do të rikthehet sërish në Shkodër për të bërë prezantimin zyrtar të kandidatëve të Partisë Mundësia.
Në largim nga qyteti i Shkodrës, Agron Shehaj u ul vetë në timonin e autobusit me te cilin do përshkojnë Shqipërinë këtë të premte nga Shkodra në Sarandë.
“Shihemi në Lezhë, jeni në duar të sigurta” u shpreh Shehaj.
Turi i çeljes së fushatës së Partisë Mundësia do të transmetohet live për 12 orë në kanalin në Youtube të kryetarit Agron Shehaj dhe të gjitha rrjetet e tij sociale.
Fraksion.com