Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ndonëse ndodhet pas hekurave, ka bërë një thirrje të fortë për pjesëmarrje në çeljen zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, përmes një postimi në Facebook.
“Eja, jam dhe unë në shesh,” shkruan Salianji, duke theksuar se edhe pse fizikisht i mungon për herë të parë një fushate të PD-së, ai është shpirtërisht i pranishëm në Sheshin “Nënë Tereza”, ku sot në mbrëmje fillon zyrtarisht fushata elektorale.
Postimi i Salianjit:
“Eja, jam dhe unë në shesh
Sot në darkë në Sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë çelet zyrtarisht fushata për zgjedhjet e 11 Majit. Për shkak të një dënimi politik, dirigjuar dhe firmosur në një farsë gjyqësore prej Kryeministrit, nuk do të jem fizikisht aty, dhe kjo është hera e parë që mungoj. Kam qënë në secilën fushatë të Partisë Demokratike.
Por jam sonte aty prezent, si dëshmi e nevojës për ndryshim. Shqipëria duhet të lërë pas këtë kapitull të errët 12 vjeçar, ku u instalua një sundim shtypës. Dënimi i kundërshtarit politik, për një konferencë shtypi është një turp që vendi ynë s’ka pse e mban mbi shpatullat ende të brishta, e duhet ta heqë duke hequr autokratucin.
Edi Rama se ka mundësnë ta mbyllë këtë sikur të ishte një ngjarje e brendshme. Eshtë cenim i demokracisë dhe tanimë kjo flitet në Strazburg, në Bruksel.
Jam sonte aty në shpresat që ka çdo qytetar për të larguar frikën që ka futur një qeverisje që mbahet jo me konsensus e me besim, por me dhunë, represion, penalizim, ndëshkim.
Tek çdo i ri që kërkon të rigjejë besimin e humbur, që është në ushëkryq, që dëshiron të qendrojë, që aspiron një të ardhme këtu, ku të realizohet, e që meriton të ketë në krah një qeveri që stimulon sipërmarrjen e tij, apo e lehtëson kreditimin për banesë.
Tek çdo pensionist që ka dhënë mjaftueshëm për këtë vend, e që e ka dinjitetin dhe ekonominë të shkelur nga një autokratuc që tallet. Jam me të, siç kemi qënë në gjithë fushatat.
Jam te secili demokrat që ka 12 vite që jo vetëm i duhet të luftojë në një vend ku për të ka qënë edhe më e vështirë se të tjerët, prej armiqësisë politike, por që është munduar edhe për të mbajtur të bashkuar e për të mos lejuar shkatërrimin e forcës së tij, PD, e vetmja shpresë për ndryshim.
Jam te secili demokrat e demokrate që ka 12 vite që lufton pa u ndalur asnjë ditë, pa u joshur, me atë motorrin e pandalshëm që e mban ndezur besimi.
30 ditë kanë mbetur për të materializuar gjithë këtë ndjesi, emocion, shpresë, revoltë, pakënaqësi, aspiratë, pritshmëri, në një rend të ri. Në një qeverisje, me njerëzit, nga njerëzit, për njerëzit.
30 ditë për t’u ndarë nga një e keqe që jo vetëm ndihet në lekurën e secilit, por që përmasat e të cilës do të dalin sheshazi me transparencën që ndryshimi, rotacioni do të sjellë.
Eshtë krejtësisht e mundur. Çlirohuni nga ankthi e nga frika. Mundeni dyshimin brenda jush. Dilni mbi skepticizmin. Mos jini ai, ajo që Edi Rama kërkon të jeni, të nënshtruar. Paniku i gjithi është sot tek autokratuci. Ai kërkon ta shpërndajë, për të shpëtuar vetë. Do të shihni pas 11 majit, se sa dordolec është ai që trimëronte me shtetin nën hyqëm.
Eshtë në duart e secilit ky kalim në gjendjen tjetër.
Ejani sonte në sheshin “Nënë Tereza”, e mos u ndalni më çdo orë, çdo minutë deri me 11 Maj.”
Ai e konsideron dënimin e tij si politik, të inskenuar nga kryeministri Edi Rama, dhe e përshkruan si “një turp për demokracinë shqiptare”, që tashmë po diskutohet edhe në Strasburg e Bruksel.
“Ky është një regjim që sundon përmes frikës, represionit dhe ndëshkimit. Duhet ta largojmë bashkë,” shkruan Salianji, duke bërë apel për ndryshim dhe për një qeverisje që vjen nga qytetarët dhe u shërben atyre.
Në mesazhin e tij emocional, Salianji u drejtohet të rinjve, pensionistëve dhe çdo demokrati që prej 12 vitesh ka luftuar kundër asaj që ai e quan “autokraci e Edi Ramës”, duke i ftuar të mos ndalen deri në ditën e zgjedhjeve.
“30 ditë për të çuar revoltën në votë. Çlirohuni nga frika! Pas 11 majit do të shihni sa dordolec është ai që sot trimon me shtetin në dorë,” përfundon ai.
Fraksion.com