Rama: Më 16 maj, bëhen bashkë në zemër të Tiranës liderët e të gjithë kontinentit tonë
Shqipëria do të presë më 16 maj 2025, Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Tiranë, ku do të mblidhen 47 Kryetarë shtetesh ose qeverish së bashku me krerët e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.
Kjo është hera e parë që EPC mban takim në Ballkanin Perëndimor – një moment me rëndësi historike si për Shqipërinë ashtu edhe për rajonin në tërësi.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video e cila nis me një fjalë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
“Kjo organizatë e re evropiane do t’u mundësonte kombeve demokratike evropiane që i përmbahen vlerave tona thelbësore të gjejnë një fushë të re bashkëpunimi politik, sigurie, bashkëpunimi në energji, transport, investime, infrastrukturë, lëvizje të njerëzve dhe veçanërisht të të rinjve tanë”, thotë Macron.
Kreu i Ekzekutivit thekson se është krenari që në zemër të kryeqytetit shqiptar bëhen bashkë liderët nga i gjithë kontinentit tonë të demokracive.
“Krenari për faktin se në 16 maj, do të bëhen bashkë në zemër të Tiranës për Samitin e Komunitetit Politik Europian, liderët e të gjithë kontinentit tonë të demokracive, nga Londra në Kiev e nga Oslo në Ankara”, shprehet Rama.
Gjithashtu, Rama thekson se Shqipëria u përzgjodh për të zhvilluar këtë ngjarje të rëndësishme është fakti se tashmë shihet me respekt dhe vlerësim.
“Në 16 maj ne do të mirëpresim Samitin e Komunitetit politik europian, ku do të kemi në Tiranë udhëheqësit e 700 milionë banorëve të Europës përtej kufijve të BE-së. Arsyeja pse Shqipëria e mori këtë mundësi është shumë e thjeshtë. Sepse Shqipëria sot është një vend ku të gjithë shohin me sytë e respektit, edhe të gjithë kanë vlerësime që personalisht mua më bëjnë shumë krenar, por më e rëndësishëm në këtë rast sesa krenaria në këtë rast është frymëzimi dhe motivimi për të vazhduar më tutje”, ka theksuar Rama lidhur me mbajtjen në Tiranë të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Ky Samit shënon jo vetëm një njohje simbolike të vendit të Evropës Juglindore brenda strukturës politike evropiane, por edhe një investim strategjik në rolin e saj në formësimin e së ardhmes së kontinentit.
Fraksion.com