Koçiu: Skema direkte financiare në mbështetje të rreth 62 mijë fëmijëve dhe 16 mijëve me aftësi speciale
Politikanë, ligjvënës, përfaqësues të qeverive vendore, akademikë, dhe partnerë strategjikë të zhvillimit nga vende evropiane dhe nga rajoni, u mblodhën sot në Tiranë për në një Konferencë rajonale për të diskutuar përshpejtimin e reformave të kujdesit ndaj fëmijëve dhe për të promovuar Garancinë Evropiane për Fëmijën.
Në konferencën “Përshpejtimi i reformave të kujdesit ndaj fëmijëve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian” e organizuar nga MSHMS, BE dhe UNICEF, ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, Drejtoresha Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore, Përfaqësuese e UNICEF-it pranë OKB-së në Gjenevë, Koordinatore e Posaçme për Refugjatët dhe Migrantët në Evropë, Regina De Dominics si dhe përfaqësues nga vendet anëtare të BE-së si dhe të vendeve kandidate për në BE.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se Garancia Evropiane për Fëmijët është një ide e vjetër, por që u adoptua formalisht nga Bashkimi Europian në qershor 2021, si një mënyrë për të nisur rimëkëmbjen e pas COVID-it duke nisur nga fëmijët. “Shqipëria beson fort tek kjo nisem ndaj jemi një ndër vendet kryesore që kemi adoptuar Garancinë Europiane për Fëmijët në kuadrit tonë legjislativ dhe planet tona strategjike. Në thelb, gjithçka po bëjmë bazohet mbi një premisë të qartë: që pamundësia ekonomike nuk duhet të jetë një barrierë për aksesin në shëndetësi arsim, strehim apo mjedis të shëndetshëm ku çdo fëmijë meriton të rritet”, tha ajo.
Ministrja nënvizoi se “në Shqipëri, 62 mijë fëmijë mbështeten direkt, si anëtarë të familjeve që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike. Janë 16 mijë fëmijë me aftësi speciale, 400 fëmijë të strehuar në shtëpitë e fëmijëve. Për përfituesit, nuk kemi 3-fishuar thjeshtë ndihmën ekonomike, por kemi fuqizuar edhe shërbimet apo përfitimet e tjera që familjet dhe fëmijët marrin duke nisur nga arsim gjithëpërfshirës, përfshi për ata fëmijë që vijnë nga grupe të margjinalizuara apo që janë pjesëtarë të pakicave kombëtare”.
“Kemi 2 dhe 3-fishuar përfitimet për familjet në nevojë ekonomike, për fëmijët me aftësi ndryshe, për familjet e mëdha si dhe kemi forcuar ombrellën e mbrojtjes sonë sociale, duke e shtrirë atë absolutisht në të gjithë territorin. Deri një dekadë më parë, programet tona sociale ofroheshin në më pak se gjysmën e territorit , duke qenë të përqendruara në Tiranë apo në qytete kryesore. Gjysma e territorit, mbase pikërisht ajo gjysëm që kishte më shumë nevojë për mbështetje ishte plotësisht e përjashtuar. Krijuam një mekanizëm të ri transformues. Fondi Social, i cili ofron sot 84 shërbime sociale i shtrirë në absolutisht të 61 bashkitë e vendit duke ofruar shërbime sociale në përputhje me nevojat e secilit komunitet. Mes tyre, shërbime për personat dhe fëmijët me aftësi ndryshe, shërbime për të moshuarit, për viktimat e dhunës, grupet në nevojë”, theksoi Koçiu.
Sipas, saj, këto shërbime ofrohen nga 700 profesionistë me 44 mijë përfitues, dhe përfshijnë 27 shërbime të dedikuara për fëmijët.
Ministrja deklaroi se “mburoja jonë e mbrojtjes sociale do të shtrihet edhe me 40 shërbime të tjera të domosdoshme duke krijuar një hartë digjitale të nevojave të shërbimeve sociale në të gjithë territorin e vendit që na ndihmon të alokojmë programet atu ky është më e domosdoshme mbështetja jonë. Do të vijojmë të forcojmë mekanizmin e Fondit Social, si një mekanizëm i fuqishëm i bashkëpunimit por edhe një mjet për të forcuar komunitetet në përputhje me nevojat e tyre reale”.
“Ridimensionimi i politikës së baby bonus është një politike që e kemi nisur qysh herët për të mbështetur familjet që lindin fëmijët e tyre në hapat e para të jetës . Ajo që synojmë është që ta ridimensionojmë këtë politikë për ta bërë një mbështetje të përhershme përgjatë 18 viteve të para të jetës për çdo fëmijë pavarësisht statusit social-ekonomik të tij. Gjithashtu, jemi në prag të nisjes së një programi të ri kombëtar për ushqimin e shëndetshëm nëpër shkolla. Synojmë të garantojmë që në çdo bashki qendër qarku të mund të ofrohet ushqimi në shkollë si dhe një kurs i dedikuar pas shkollor apo aktivitetesh pas shkollore me qëllim që fëmijët jo vetëm të argëtohen, por të bëjnë edhe detyrat e shtëpisë në ambiente shkollore duke i dedikuar një vëmendje të posaçme nga mësues dhe edukatorët”, bëri të ditur Koçiu.
Ministrja shtoi se “ jam vërtet e kënaqur që sot të ngremë në një nivel tjetër më të lartë rajonal këtë bashkëpunim mes vendeve të rajonit me qëllim që Garancia Evropian për Fëmijët të fillojë dhe të krijohet dhe të marrë shembujt e suksesit duke nisur nga Shqipëria. Qëllimi ynë është që të shndërrohemi në një qendër rajonale të shkëmbimit të përvojave, të modeleve të suksesshme, kërkimit shkencor apo ideve novatore që të sigurojnë një pikënisje të barabartë për të gjithë fëmijët”.
“Por, ajo që është më e rëndësishmja, “Besëlidhja” e sotme është gjithashtu një angazhim i përhershëm dhe i vazhdueshëm moral për të bërë më shumë për fëmijët. Është një zotim që të gjithë, jo vetëm në Bruksel, Paris apo Berlin, por edhe ata në Tiranë, Prishtinë, Podgoricë e Shkup, si dhe ata në Pogradec, Kukës, Sarandë e kudo tjetër në Shqipëri e rajon, të lindin dhe të rriten të mbështetur nga shërbime universale me qëllim që gjithmonë e më shumë, të gjithë pa përjashtim, diferencën për ta, ta bëjë puna, arsimi dhe talenti, e gjithmonë e më pak, privilegji i të lindurit apo jo në një familje të pasur”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
Konferenca rajonale ritheksoi përkushtimin e Shqipërisë ndaj procesit të anëtarësimit në BE, duke e konsideruar përparimin e këtyre reformave si pjesë kyçe të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen Sociale 2024-2030. Diskutimet u fokusuan në përdorimin e kuadrit evropian të Garancisë për Fëmijën për të trajtuar varfërinë e fëmijëve, përjashtimin social dhe pabarazinë.
Një moment kyç i kësaj Konference është nënshkrimi i Deklaratës së Tiranës si një Angazhim i Përbashkët për Fëmijët. Ky angazhim forcon vendosmërinë për të përshpejtuar investimet publike në mirëqenien e fëmijëve, përmirësimin e zbatimit të politikave dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar e rajonal. Deklarata pasqyron një zotim të përbashkët nga shtetet pjesëmarrëse për të siguruar që të gjithë fëmijët, veçanërisht ata në rrezik, të kenë akses të barabartë në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale cilësore.
Fraksion.com