Dosja Veliaj! Gjyqtari i Apelit të Posaçëm: Bashkëpunimi Veliaj-Xoxa-Abule, ka tiparet e bashkëpunimit të grupit kriminal
Më 13 mars, gjyqtari Engert Pëllumbi vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun Erion Veliaj.
Sipas detajeve të reja që kanë dalë lidhur me vendimin e marrë nga Gjykata e Posaçme, arsyetimi përfshin disa elemente të rëndësishme. Në këtë kontekst, gjykata thekson se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe Eman Bule kanë vepruar si një grup kriminal, duke përfituar të mira materiale.
Gjykata vëren se bashkëpunimi i personave nën hetim, Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe Elman Abule, ka tiparet e një bashkëpunimi të posaçëm, që përkon me atë të një grupi të strukturuar kriminal, i rregulluar nga neni 28/4 i Kodit Penal. Kjo, sepse përmbushen kriteret e pluralitetit të personave (tre individë), kryerjes së veprimtarisë kriminale për qëllime përfitimi material (si pastrimi i pasurive të fituara nga veprat penale të korrupsionit), si dhe moskrijimit të grupit rastësisht, pasi veprimtaria kriminale është kryer në mënyrë të përsëritur dhe për një periudhë të gjatë kohore.

Megjithatë, gjykata shprehet se një formë e tillë bashkëpunimi ende nuk iu është atribuuar këtyre personave në hetim dhe, për këtë arsye, nuk do të merret parasysh në këtë moment nga gjykata.
“Në këtë kontekst, gjykata vëren se bashkëpunimi i personave nën hetim Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe Elman Abule ka tiparet e nje bashkëpunimi te posaçëm, atij te grupit te strukturuar kriminal, i normuar nga neni 28/4 i Kodit Penal, duke qenë se përmbushen kriteret e pluralitetit të personave (tre persona), kryerjes së veprimtarisë kriminale për qëllime përfitimi material (pastrimi i produkteve te veprës penale te korrupsionit) si dhe moskrijimit të grupit rastësisht (kryerja e veprimtarisë kriminale në mënyrë të përsëritur e për një kohë të gjatë), pavarësisht se një formë e tillë bashkëpunimi nuk i është atribuuar ende këtyre personave në hetim dhe, per rjedhojë, nuk do të merret në konsideratë ne këtë moment nga giykata’’, thuhet në vendim./ballkanweb
Fraksion.com