AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Balluku: Hekurudha Durrës-Rrogozhinë projekt strategjik kombëtar dhe rajonal që e përafron Shqipërinë me BE

Linja hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, segmenti i parë i korridorit të VIII ka hyrë në rrugën e realizimit dhe do të shërbejë si një alternativë më shumë transporti për të gjithë qytetarët.

Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndau në rrjetet sociale projektin e kësaj linje hekurudhore, për të cilën një ditë më parë, në Tiranë u nënshkrua marrëveshja me Bankën Europiane të Investimeve për financimin e saj.

“Linja hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, një projekt që tashmë ka hyrë në rrugën e realizimit dhe që do të shërbejë si një alternativë më shumë transporti për të gjithë qytetarët”, shkruan Balluku.

Brenda vitit do të jetë gati projekti i plotë i segmentit hekurudhor Durrës – Rrogozhinë, që parashikohet të dorëzohet si vepër në 2028.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes Balluku tha se “ky segment do të pasohet edhe nga segmenti Rrogozhinë – Pogradec që do të dorëzohet në 2029-ën”.

“Këto projekte strategjike kombëtare dhe rajonale e përafrojnë Shqipërinë akoma më shumë drejt ëndrrës së saj të Bashkimit Europian”, deklaroi zv.kryeministrja.

Gjatë vizitës zyrtare të përfaqësueses së lartë për Punët e Jashtme dhe të Sigurisë dhe zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, Kaja Kallas, në Shqipëri, u nënshkrua një paketë financiare e BE-së me vlerë 90,5 euro për rindërtimin e seksionit hekurudhor Durrës – Rrogozhinë, ndërmjet Bankës Evropiane të Investimeve (BEI Globale) dhe qeverisë së Shqipërisë. Fondet përbëhen nga një grant i BE-së me vlerë 60,5 milionë euro, i kanalizuar në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (KIBP) dhe një hua prej 30 milionë eurosh nga BEI Globale.

Fondet do të mundësojnë modernizimin e një linje hekurudhore me gjatësi 34 km midis portit të Durrësit dhe Rrogozhinës në Shqipërinë qendrore, e cila shtrihet në Korridorin VIII multimodal që lidh portet e Italisë jugore, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Projekti është i një rëndësie strategjike, si zgjerim tregues i rrjetit TEN-T dhe është pjesë e planit ekonomik dhe të investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Kostoja totale e projektit është vlerësuar në 121 milionë euro, e bashkëfinancuar me një hua prej 30 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Korridori VIII, 172 km i gjatë, është një korridor që nuk i shërben vetëm Shqipërisë. Ai është një korridor energjetik dhe infrastrukturor, që lidh Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe përfundon në Bullgari.

Fraksion.com