Rama: Negociatat i mbyllim brenda 2027-ës, mbi 1 miliard euro në vit nga anëtarësimi në BE
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se nga anëtarësimi në Bashkimin Europian Shqipëria mund të fitojë një buxhet shtesë prej mbi 1 miliard eurosh në vit, i cili mund të përdoret për gjithçka që ka nevojë të realizohet më shpejt në vend.
Në një komunikim live në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama iu përgjigj një komentueseje sipas së cilës Shqipëria nuk humbet gjë edhe nëse nuk anëtarësohet në BE.
“Për asnjë arsye në botë nuk mund të thuash se nuk humbasim gjë. Ne do të humbasim mbi 1 miliard euro në vit nga të cilat 90 % janë grant, para dhuratë ose parë e ndarë pa interes financiar në formën e grantit brenda për brenda familjes europiane dhe 10% kredi”, tha Rama.
Kryeministri kujtoi se në gjithë këto vite financimi që Shqipëria ka marrë nga BE ka qenë rreth 1 miliard nga të cilat 90% kanë qenë kredi dhe 10 % grant.
“Po ta jap në një shifër shumë brutale që të kuptosh se çfarë humbasim. Që ne të humbasim më shumë se 1 miliard euro në vit nga anëtarësimi i mundshëm për mustaqet e Çelos apo e lagu se lagu, apo për kush je ti e kush jam unë, ky do të ishte një fatalitet i madh”, tha Rama.
Ndërkohë nëse hyjmë në BE dhe marrim këtë përfitim atëherë kryeministri siguroi se shumëçka këtu që ka nevojë të bëhet më shpejt bëhet më shpejt, sepse faktikisht fitojmë një buxhet ekstra nga hyrja në BE.
Duke iu përgjigjur një tjetër komentuesi, Rama nënvizoi se “monitorimi i standardeve nga ana e BE-së nuk negociohet”.
“Shqipëria sot është në një fazë transformimi që e shohin të tërë ata që nuk e shohin realitetin tonë me syzet e ditës. Një fazë transformimi që ka bërë që Shqipëria të bëhet një vend i cili shihet me respekt, me besim dhe shihet si një vend i vogël por serioz në arenën ndërkombëtare dhe një vend që shihet si destinacion turistik që rritet çdo vit me shpejtësi marramendëse. Nëse Shqipëria do të ishte mesjetë asnjëra dhe as tjetra nuk do të ndodhte”, shtoi Rama.
Kryeministri iu përgjigj një tjetër komentuesi i cili shprehet se integrimi në BE është utopi.
“Nëse do të ishte utopi nuk do të thoshte vetë BE të mbyllim negociatat brenda 2027. Na kanë dhënë një datë dhe afat gjë që nuk e bëjnë zakonisht sepse nuk i lidhin duart vetes. Në këtë rast e kanë bërë sepse është BE që do të na marri ne brenda për shkak të situatës së re gjeopolitike që është krijuar. Ndaj duan të japim një shenjë shumë të qartë që BE të zgjerohet dhe unifikohet”, tha Rama.
Sipas tij, “është një interes i madh politik që shkon përtej nesh dhe ne këtë duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht tani”.
“Po të ishte utopi nuk do të ndodhte kjo se BE ka dëshirë të zgjerohet. BE do të donte t’i merrte të gjashtë vendet plus edhe ato të tjerat që janë jo në Ballkanin Perëndimor brenda tani, por nëse thotë Shqipëria dhe Mali i Zi, do të thotë se këto vende janë pranë realizimit të kushteve që ka BE. Dhe kushtet e BE-së nuk janë për sytë e bukur të mitë apo të tutë, apo të atletet e mia. Kushtet e BE-së lidhen me standardet”, shtoi Rama.
Fraksion.com