AktualitetPolitikëTë fundit

Anija “Libra” bëhet shqiptare, Rama: Dëshmi e partneritetit strategjik me Italinë

Në Durrës u nënshkrua sot Letra e Qëllimit për kalimin e anijes ushtarake patrulluese “Libra” në përdorim të Forcës Detare Shqiptare.

Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Shqipërisë dhe Italisë. Rama tha se ky bashkëpunim është më shumë sesa një anije, duke shtruar se falë kësaj epoke të re të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë, po përfitojnë nga ndihma dhe sensi i partneritetit strategjik të Italisë në drejtim të Shqipërisë.

“Është zakoni im, që kur duhet të pres miq nga Italia flas në italisht, kursej edhe kohë në këtë mënyrë. Një falënderim shumë i ndjerë për Guidon, ministrin e madh e Croseto, dhe Giorgia (kryeministren Meloni – shën. i red.) me patjetër, se pa atë nuk mund të bëhet asgjë, ministri vetëm ndjek. Për këtë gjest miqësie, por edhe të një respekti të madh drejt Shqipërisë, drejt Forcave të Armatosura të Shqipërisë, që falë kësaj epoke të re të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë, po përfitojnë nga asistimi dhe sensi i partneritetit strategjik të Italisë në drejtim të Shqipërisë. Kjo anije është dëshmi shumë e dukshme dhe vetëm një pikëtakimi e asaj që po bëjmë sëbashku.

Dua t’i siguroj të gjithë se ajo që po bëjmë së bashku është më shumë se një anije. Është më shumë sesa aspekti material, pasi po punojmë për të krijuar një sinergji të rëndësishme mes këtyre dy sfondeve të Adriatikut për të vendosur së bashku ide të reja dhe energji të reja, për të vijuar së bashku dhe për të transformuar gjithmonë më shumë këtë miqësi shumë të vjetër në diçka të mirë, për të dy vendet tona, për të dy shtetet tona”, tha Rama.

Kryeministri Rama vuri në dukje gjithashtu se periudha aktuale është një kohë sfidash që nuk mund të ishin imagjinuar disa vite më parë, ndërsa shtoi se kjo aleancë mes Shqipërisë dhe Italisë bëhet gjithnjë e më strategjike.

“Dhe, siç tha ministri, jam i nderuar nga miqësia e tij, jetojmë në kohë të sfidave që nuk i imagjinonim vetëm disa vite më parë dhe kjo na shtyn të bashkojmë çdo gjë që mundemi, të bashkëpunojmë sa të mundemi, pasi nuk ka më rëndësi, nëse je i vogël apo i madh, por e rëndësishme është që secili të jetë një vlerë e shtuar dhe në këtë prizëm, kjo aleancë mes Shqipërisë e Italisë bëhet gjithnjë e më strategjike, e rëndësishme dhe e lidhur në interesa të përbashkëta për të dy vendet dhe shtetet”, tha Rama.

Në përfundim, Rama falënderoi skuadrën ushtarake italiane që mori pjesë në këtë gjest respekti.

Fraksion.com