AktualitetTë fundit

Anija “Amerigo Vespucci” ankorohet në Durrës

Në Portin e Durrësit u bregëzuan sot tri anije italiane, anija historike “Amerigo Vespucci” e cilësuar edhe si anija më e bukur në botë, katamarani “Lo spirito di stella”, i cili ka qëllim kauzat sociale dhe drejtohet nga persona me aftësi ndryshe, si dhe anija patrulluese “Libra”, e cila iu dhurua Forcës Detare shqiptare.

Anija “Amerigo Vespucci” në Durrës, forcim i lidhjeve kulturore midis Shqipërisë dhe Italisë

Nga data 8 deri më 11 prill, Durrësi pret anijen e njohur italiane, “Amerigo Vespucci”, e cila ka përfunduar një turne dyvjeçar botëror dhe tani po zhvillon një tur të veçantë në Itali që prek edhe Shqipërinë.

Në ceremoninë e veçantë të mbajtur sot në portin e Durrësit, ku morën pjesë drejtues të Forcës Detare nga të dy vendet si dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, u theksua se ky është një moment i rëndësishëm, jo vetëm për Marinën Italiane, por edhe për Shqipërinë, e cila bëhet kështu pjesë e këtij turneu të jashtëzakonshëm.

Anija “Amerigo Vespucci” është një anije e gjatë me një histori të pasur dhe simbolikë të veçantë, duke përfaqësuar traditën detare dhe kulturore të Italisë.

Ndalimi në Durrës sjell një mundësi unike për të forcuar lidhjet kulturore dhe historike midis Shqipërisë dhe Italisë, duke përfshirë pjesëmarrës institucionalë të nivelit të lartë nga të dy vendet.

Ky ndalim i “Amerigo Vespucci”-t në Durrës është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar Shqipërinë si një destinacion turistik dhe për të theksuar rëndësinë e marrëdhënieve kulturore dhe historike midis Shqipërisë dhe Italisë.

Anija me vela është përgjegjëse për trajnimin dhe edukimin e studentëve të Akademisë Detare dhe shkollave të tjera të Marinës, si dhe mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe mjedisit detar.

Komandanti i anijes “Amerigo Vespucci”, Giuseppe Lai u shpreh në një prononcim për mediet se, anija “Vespucci”, vjen nga një tur interkontinental ku ka prekur 35 porte në 30 shtete, në 5 kontinentet.

“Jemi në Durrës sot me anijen Vespucci, e cila vjen nga një tur interkontinental i cili ka filluar më 1 korrik 2023, që e ka bërë të prekë 35 porte në 30 shtete, në 5 kontinentet. Një iniciative e kërkuar nga ministri ynë i Mbrojtjes, Guido Crosetto, i cili në nisjen e anijes nga Xhenova 2 vite më parë, kërkoi që të mos ishte vetëm anija Vespucci, por gjithë Italia, për të bërë një xhiro rreth botës për ta prezantuar në 360 gradë, jo vetëm në dimensionin e Mbrojtjes, me përfshirjen e 12 ministrive. Pra një rol që shoqëroi atë tradicional të anijes shkollë të “Vespucci”-t”, tha ai.

“Në këtë tur kombinohet, bashkohet një tur mesdhetar, i nisur në Trieste 1 marsin e shkuar, ku Durrësi është etapa e parë e jashtme, do të jenë 17 etapa gjithsej, 2 të jashtme, e cila është në Shqipëri, tjetra do të jetë në Valleta të Maltës”, tha ai.

“Për anijen Vespucci ky është një rikthim në Durrës, shumë i kënaqshëm. Shumë nga ekuipazhi kujtojnë mikpritjen shqiptare dhe jemi gati të shohim sa më shumë njerëz këtu nga Durrësi dhe Shqipëri për vizitë nga anija Vespucci në këto 3 ditë”, tha komandanti Lai.

Ambasadori italian Marco Alberti u shpreh se, “nuk është hera e parë që anija Vespucci është në Durrës, por është gjithmonë e parë, kur vjen anija Vespucci. Ne si ambasadë, jo vetëm e kemi mbështetur, por kemi besuar shumë në këtë iniciativë. Janë mbi 1500 të rinj të shkollave që do ta vizitojnë anijen, që ka një kuptim të ambasadës shëtitëse”.

“Vespucci është një ambasadë, një ambasadë e kulturës italiane të detit, por edhe e kulturës italiane e “Made in Italy”, sepse çon në botë një ide të ekselencës, të stilit, të bukurisë, por edhe të cilësisë dhe besoj edhe të shpirtit të skuadrës që karakterizon ekuipazhin, por edhe shpirtin me të cilin Italia është këtu”, tha ambasadori.

“Besoj se të qenit në Shqipëri, në këtë ditë të veçantë, me këtë anije forcon idenë e një bashkëpunimi bilateral që është e bërë nga shumë aspekte, por që niset nga një pikë simbolike e përfaqësuar në mënyrë simbolike nga anija. Duhet të lundrojmë së bashku dhe për ta bërë duhet të kemi destinacione dhe rrugë të përbashkëta”, tha ambasadori Alberti.

Ambasadori foli edhe për anijet e tjera katamarani “Lo spirito di stella” dhe anija patrulluese “Libra”.

“Vespucci hap këtë ditë dhe besoj se është shumë e rëndësishme për arsyet që thashë, jo vetëm për simbolikën që kjo anije sjell me vete, por edhe për shtysën promovuese dhe lidhjen mesdhetare, për ne sot do të thotë kultura që bashkohen në një det”, u shpreh Alberti.

“Tirana këtë vit është kryeqytet i kulturës mesdhetare, së bashku me Aleksandrinë e Egjiptit. Kjo anije sjell kulturën italiane dhe sjell një kulturë miqësie dhe bashkëpunimi”, theksoi ai.

Vespucci ka përfunduar së fundmi turneun e tij dyvjeçar botëror dhe tani është në një turne në Itali që prek edhe Shqipërinë. Të gjithë të interesuarit që duan ta vizitojnë nga afër këtë anije mund të gjejnë më shumë informacion këtu: (https://tourvespucci.it/en/).

Një vizitë brenda anijes historike “Amerigo Vespucci”

Që nga momenti i parë kur hipën në anijen “Amerigo Vespucci”, një nga anijet më të famshme, ndihesh sikur po udhëton përmes kohës, në një rrugëtim që e lidh të kaluarën dhe të tashmen.

Anija nuk është thjesht një mjet transporti; por një muze lundrues, një simbol i pasionit dhe mjeshtërive të marinës italiane.

“Amerigo Vespucci” është një anije e ndërtuar në vitin 1931 dhe ka një histori që i jep asaj një rëndësi të veçantë.

Nën guidën e oficeres së bordit Ana Testa vizituam anijen më të vjetër të marinës italiane.

“Kjo është një nga anijet më përfaqësues të marinës sonë”, tha Ana, teksa na ftonte të shijonim bukuritë e saj.

E gjithë anija ishte një vepër arti, nga dritaret e vogla prej druri, deri tek çdo detaj i brendshëm që fliste për mjeshtërinë e ndërtimit të anijes.

Për të hyrë në brendësi të saj, kalova nëpër një korridor të ngushtë me mure të zbukuruar me hartat e deteve dhe pasqyra të vjetra.

Ana na shpjegoi se në kohën e mbretit të Italisë motoja e anijes ishte: “Për kombin dhe mbretin”, por pas 1945 ka ndryshuar, tani është: “Jo ai që fillon, por ai që ngulmon”, shprehje që i atribuohet Leonardo Da Vincit.

Çdo kabinë kishte një dizajn elegant dhe të pastër, me drurin e mrekullueshëm të përdorur në mobilie.

Një pjesë tjetër që më bëri përshtypje ishte kabina e komandës.

Me të hyrë, shikimi im ra mbi timonin e madh të drurit, dhe mbi një koleksion të pasur instrumentesh navigacioni që përdoren për të udhëhequr këtë anije të mahnitshme.

Ana sqaroi se “në këtë kabinë janë 4 timonë të cilët përdoren për të stërvitur kadetët e rinj”.

Përtej kabinave dhe sallave të brendshme, anija ka një pamje të mrekullueshme nga të gjitha anët.

Ana gjithashtu na tregoi se në anije ndodhen 35 kilometra litarë, të cilët janë të bërë me material bimor, për t’i dhënë atyre elasticitetin e nevojshëm.

“Lo spirito di Stella”, katamarani i parë në botë i projektuar për personat me aftësi ndryshe

Një tjetër anije që u bregëzua sot në Durrësi ishte edhe katamarani “Lo spirito di Stella”, i cili ka qëllim kauzat sociale dhe drejtohet nga persona me aftësi ndryshe.

Komandanti i këtij katamarani Stefano Locci u shpreh në një prononcim për ATSH-në se, kjo anije është pjesë e turit botëror me anijen “Amerigo Vespucci” dhe është katamarani i parë në botë i projektuar për të qenë i aksesueshëm nga njerëzit me karrocë me rrota.

“Ky katamaran është ndërtuar nga Andrea Stella, që është pronari i katamaranit dhe themelues i fondacionit “Lo spirito di Stella” (Shpirti i yllit). Pas një aksidenti që pati në Amerikë u detyrua të lëvizte me karrocë me rrota dhe kërkonte një mënyrë për t’u rikthyer në det, por nuk ekzistonte atëherë një katamaran që të ishte i aksesueshëm ku të mund të hipje në varka siç bënte përpara aksidentit. Kështu e ndërtoi dhe kuptoi se sa mirë i bëri rikthimi në det dhe vendosi të themelojë një fondacion, me të cilin nga viti 2002 e më tej ka bërë gjithmonë projekte lundrimi, projekte sociale me të cilat ka ҫuar në det falas më shumë se 5 mijë persona me aftësi të kufizuara, për të jetuar një eksperiencë që mund të jetë një xhiro prej 3 orësh ose një lundrim më i gjatë, deri në një kalim ndëroqeanik”, tha ai.

“Tashmë po kompletojmë një xhiro rreth botës së bashku me anijen “Amerigo Vespucci”. Jemi nisur nga Xhenova në korrik 2023 dhe do të rikthehemi në Xhenova në qershor 2025 këtë vit. Projekti është në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me Marinën Ushtarake Italiane dhe në çdo etapë të kësaj xhiroje rreth botës kemi imbarkuar persona ish-ushtarakë të Marinës dhe Forcave të Armatosura që sot bëjnë aktivitete sportive dhe quhen Grupi Sportiv Paraolimpik i Mbrojtjes dhe kanë ardhur në bord për të marrë pjesë dhe për të bërë këtë xhiro të botës me ne”, u shpreh ai.

Fondacioni “Lo Spirito di Stella”, i themeluar në vitin 2003 nga Andrea Stella, promovon të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Për këtë arsye, organizata jofitimprurëse është përfshirë në fushata të ndryshme sensibilizuese për problemin e barrierave arkitekturore dhe ndërmerr nisma për të nxitur përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në shoqëri.

Një iniciativë që ka marrë hov falë përdorimit të “Lo Spirito di Stella”, katamaranit të parë plotësisht të aksesueshëm në botë që thyen të gjitha kufizimet e vendosura nga kushtet psiko-fizike, duke u dhënë personave me aftësi të kufizuara mundësinë për të përjetuar detin në liri totale.

Gjatë viteve, katamarani ka pritur mbi 10 mijë pjesëmarrës në bord, duke përfshirë njerëz me aftësi të kufizuara, shoqërues dhe fizioterapistë.

Anija patrulluese “Libra”, dhurata e Italisë për Shqipërinë

Anija patrulluese “Libra”, e cila do t’i dhurohet Forcës Detare shqiptare, ishte një tjetër anije që u bregëzua sot në portin e Durrësit.

Komandati i Forcës Detare, nënadmiral Adnan Agastra, i cili vizitoi këtë anije, njoftoi se marrëveshja e Mirëkuptimit për dorëzimin e anijes italiane për Forcën Detare të Republikës së Shqipërisë nënshkruhet sot.

“Është një moment ku Forca Detare e Republikës së Shqipërisë, duke u konsideruar në tërësi si pjesë e Forcave të Armatosura për vlerësimin e situatës së sigurisë dhe në aspektin detar, merr në dorëzim këtë anije me kapacitete luftarake, të cilat bëjnë edhe kërcimin cilësor të kapaciteteve aktuale të Forcës Detare të Republikës së Shqipërisë në misionet e zbatimit, jo vetëm të ruajtjes së ligjshmërisë në det, që kemi kryer deri tani, por edhe në kapacitetet e mbrojtjes dhe të ruajtjes së infrastrukturë kritike detare”, tha ai.

“Kjo është një anije që ka kapacitete shumë të mira operacionale, shumë e integrueshme me të gjitha kapacitetet e NATO-s dhe do të shërbejë gjatë periudhës të saj të shërbimit në Forcën Detare të Republikës së Shqipërisë jo vetëm në misionet në interes të sigurisë dhe të paqes në hapësirën detare të Republikës së Shqipërisë në Adriatik dhe Jon, por edhe më gjerë në Mesdhe, atje ku detyrat dhe misionet e NATO-s do të na kërkojnë”, u shpreh Agastra.

Ai theksoi se, kjo anije është një kapacitet i shtuar nga pikëpamja e cilësive operacionale, por edhe autonomisë.

Anija u lançua më 27 korrik 1988 në La Spezia dhe iu dorëzua Marinës më 28 nëntor 1989.

Detyrat kryesore të njësisë janë patrullimi i brigjeve kombëtare, mbikëqyrja e aktiviteteve të peshkimit, kontrolli i flukseve migratore, kërkim-shpëtimi për mbrojtjen e jetës së njerëzve në det dhe operacionet kundër ndotjes.

Aktiviteti parësor operacional ka qenë gjithmonë ai i Mbikëqyrjes së Peshkimit me Operacionin “Vigjilencë e vazhdueshme”, për mbrojtjen e interesave ekonomike kombëtare dhe mbrojtjen e rregulloreve ndërkombëtare të peshkimit. Ky mision kryhej kryesisht në ngushticën e Sicilisë.

Anija “Libra” ka një ekuipazh të përhershëm prej 64 burrash, duke përfshirë 3 oficerë, i cili rritet në 81 gjatë aktivitetit operacional në det.

Shenja e thirrjes ndërkombëtare është “I A T B”. Motoja, e frymëzuar nga “virtytet” e njësive patrulluese dhe ekuipazhit të tyre, është: “Patiens Vigil Audax”  (I durueshëm, i guximshëm, vigjilent lat.).