AktualitetPolitikëTë fundit

Zgjedhjet e 11 majit, Celibashi: Fletët e votimit shpërndahen nga 15 prilli në Europë dhe kontinentet e tjera

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi njoftoi sot se fletët e votimit për zgjedhjet e 11 majit do të mbërrijnë në Europë nga data 15 deri më 22 prill.

Ndërkohë Celibashi informoi se në kontinentet e tjera fletët e votimit do të mbërrijnë nga data 15 deri më 25 prill.

Celibashi ndau në rrjetet sociale një udhëzues mbi procedurën e votimit të shqiptarëve jashtë vendit, ku përfshihen këshillat kryesore mbi hapat që duhen ndjekur.

“Pasi ta merrni, dërgojeni fletën e votimit në KQZ brenda 3 ditëve nga momenti i marrjes. Nuk do të shpenzoni asgjë. Posta paguhet nga KQZ. Mos e vononi, çdo ditë është e rëndësishme që vota juaj të mbërrijë në kohë. Zëri juaj ka rëndësi”, u shpreh Celibashi.

Udhëzuesi i hartuar nga KQZ rekomandon që pasi të merret zarfi me fletën e votimit, zgjedhësi ta konfirmojë marrjen e zarfit postar në platformën PER.

KQZ rikujton se nuk mund të votohet për një parti apo koalicion dhe njëkohësisht për kandidatin enjë partie apo koalicioni tjetër.

Numri përfundimtar i votuesve nga jashtë është 245 935 zgjedhës, ndërkohë që në total brenda dhe jashtë vendit të drejtën e votës e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë. Ndër ta 114,642 zgjedhës votojnë për herë të parë.

 

Fraksion.com