Temperaturat në veri zbresin -9 °C, ARRSH: Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore
Reshjet e borës në veri dhe juglindje të vendit vijuan edhe përgjatë natës së shkuar por pa shkaktuar probleme me qarkullimin.
Temperaturat kanë shkuar deri në -9 °C në zonat malore.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur se reshje dëbore ka pasur në Valbonë, në akset rrugore Bogë-Theth, Pukë-Fushë Arrëz-Kalimash, Qafë Mali-Fierzë, Klos-Peshkopi, Kukës-Ura Zapodit, Kukës-Bushtricë, në Qafë-Thanë, Boboshticë-Dardhë, në Voskopojë.
Sipas ARRSH-së, mjetet borëpastruese kanë punuar për pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe shpërndarjen e kripës.
“Drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit për shkak të lagështisë në rrugë, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë drejt akseve me prezencë dëbore”, apeloi ARRSH-ja.
Fraksion.com