AktualitetTë fundit

Skandal pas skandali: Produktet me pesticide, më të rrezikshme se salmonela

Që nga dhjetori, siguria ushqimore në Shqipëri është përballur me një seri skandalesh që kanë ngritur shqetësime të mëdha për shëndetin e konsumatorëve.

Mandarina të kthyera nga Kroacia, salmonelë në mishin e pulës nga Brazili dhe së fundmi, ngarkesa me luleshtrydhe të mbushura me pesticide nga Greqia, kanë ngritur shqetësime serioze mbi funksionimin e institucioneve përgjegjëse.

Ekspertja e sigurisë ushqimore Ana Vuksani tha se përgjegjësia kryesore qëndron tek mungesa e kontrollit, mungesa e ekspertëve të duhur dhe korrupsioni brenda institucioneve.

“Mungon kontrolli, mungon transparenca, mungojnë ekspertët e profesionistët, sepse në AKU përgjegjësi i sektorit për kontrollin e pesticideve në të gjithë Shqipërinë është teknolog ushqimor. Edhe në rastin e Tiranës nuk janë agronomë kemi mungesë transparence dhe korrupsion”.

Vuksani nënvizoi se pesticidet janë shumë më të rrezikshme se salmonela, pasi efektet e tyre janë afatgjata dhe shpeshherë të padukshme në momentin e konsumimit. Ato mund të shkaktojnë deformime të fetusit, mutacione gjenetike dhe sëmundje kancerogjene.

“Skandali zë skandalin, njëherë mandarinat parazitët në peshk, salmonelën. Ne mund ta kushtëzojmë disi prekjen nga salmonela me marrjen e disa masave, kurse mbetjet e pesticideve në organizëm nuk kanë asnjë lloj kushtëzimi. Janë shumë më të rrezikshme nëse nga salmonela kemi një hëlmim ushqimor, këtu jemi të gjithë njëlloj se nuk ka shenja klinike të menjëhershme por shkakton dëme shumë seriozë në afat të gjatë që nga deformimi i fetusit, mutacione gjenetike, rënie të riprodhimit e sëmundje kancerogjene. Ne jemi kthyer në një magazinë ku çdo gjë që nuk të bën mirë futet në organizmin tonë”.

Duke iu referuar rastit të fundit me ngarkesat e luleshtrydheve nga Greqia, Vuksani ngriti shqetësimin se informacioni për publikun është i vonuar dhe i fragmentuar.

“Kemi të bëjmë më 4 ngarkesa ne kemi informacion si gjithmonë mbas 2 muajve. Vetëm për ngarkesën e parë që ka qenë në 17 shkurt ne njoftohemi në 4 prill. Më shqetësues është fakti që nuk kemi asnjë informacion për sasinë e 3 ngarkesave. Unë dyshoj që ngarkesat e tjera kanë një sasi shumë më të madhe h bërë trendi që institucionet nuk japin asnjë lloj informacioni duke ekspozuar konsumatorët me riskun ndaj ushqimit. Sa i përket pesticideve kjo po bëhet si telenovelë. Ne e dimë për mandarinat në muajin dhjetor që ministria në tha që është asgjësuar, por ne sot e kësaj nuk kemi asnjë informacion për asgjësimin e tyre. AKU dhe nëse deri tani nëse nuk e dinte si të vepronte kishte rastin e mandarinave për të marrë masa që të mos ndodhte edhe te luleshtrydhet”.

Ajo theksoi gjithashtu se pesticidet e përdorura në këto luleshtrydhe janë ndaluar në Bashkimin Evropian për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe kanë kaluar normat e lejuara, duke e bërë të pamundur tregtimin e tyre në vendet e BE-së.

Në fund, ekspertja kërkoi ngritjen e një Task Force të posaçme që të hetojë dhe monitorojë rastet e tilla, si dhe të rrisë transparencën institucionale. “

“Duhen bërë një Task Forcë e përgjithshme. Thotë që janë kontrabandë por shteti i ka mekanizmat për ta luftuar nëse është pjesë e kontrabandës apo janë të mbetura në magazinat bujqësore. Rasti i fundit tregoi që janë pjesë e importit. Shteti ynë, sipas AKU-së se ato njoftimet nuk di as kush i bën se nuk qëndrojnë as si strukturë as si fjali. Kemi zero informacion se çfarë sasie kanë këto të treja sa është hedhur në treg? Analizat sa dalin me vonesë dhe gjendemi para faktit që është konsumuar. Kush mban përgjegjësi për gjithë këto probleme që i shkaktohen shëndetit tim si konsumator? Institucionet të kryejnë detyrën sa më transparent të jenë aq më të besueshëm do të jenë nga publiku tani po kuptojmë që ka shumë për të fshehur”./REFORMA

 

Fraksion.com