Rama: Hamasi nazistët e shekullit të ri, Shqipëria mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot “ne qëndrojmë të patundur krah Izraelit, në këtë moment të vështirë e të dhimbshëm, ku ende ka njerëz në bodrumet mesjetare të Hamasit”.
Gjatë ceremonisë së posaçme, ku u nderua me Medaljen Presidenciale të Nderit akorduar nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, Rama u shpreh se “historia na ka mësuar se me nazistët nuk ka paqe, me nazistët nuk ka kompromis”.
“Ne shpresojmë fort që në këtë kohë të re, do të jemi në gjendje të ndërtojmë diçka, jo aq të jashtëzakonshme sa ç’bënë gjyshërit e gjyshet tona, por në të njëjtën frymë vëllazërimi e bashkëpunimi, dhe ne qëndrojmë të patundur krah Izraelit, në këtë moment të vështirë e të dhimbshëm, ku ende ka njerëz në bodrumet mesjetare të Hamasit. Siç e kam thënë më parë, dua ta përsëris dhe tani, Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete, por në këndvështrimin tim e në këndvështrimin tonë, nuk ka zgjidhje me Hamasin aty dhe ndryshe nga ç’janë përpjekur të tjerët të thonë, Hamasi nuk është lëvizje rezistence. Hamasi janë nazistët e shekullit të ri”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.
Në përfundim të fjalës së tij duke iu drejtuar presidentit izraelit, Kryeministri Rama uroi “çdo të mirë juve, popullit të Izraelit, gjithë rajonit, e duke pritur me padurim të shoh paqen midis hebrejve dhe arabëve, mbetem vërtetë mirënjohës përgjithmonë, për këtë moment të jetës sime, që jam i sigurt, nuk e meritoj si person, por që jam i sigurt që të gjithë shqiptarët që kanë bërë diçka për hebrenjtë e meritonin këtë moment”.
Fraksion.com