AktualitetTë fundit

Policia Rrugore e Tiranës procedon 26 persona dhe vendos mbi 15 mijë masa administrative

Policia Rrugore ka përforcuar kontrollet në të gjithë qarkun e Tiranës, si rezultat i të cilave u arrestuan 26 shtetas dhe u vendosën mbi 15 mijë masa administrative gjatë javës të fundit.

Sipas Policisë Rrugore, në vëmendje të kontrolleve janë dhe automjetet të cilat zënë hapësirat e dedikuara për lëvizjen e lirë të automjeteve të tjera dhe automjetet e tonazhit të rëndë.

“Gjatë kontrolleve parandaluese me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve, Policia Rrugore e DVP Tiranës ka arrestuar/proceduar 26 shtetas për veprat “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Gjithashtu, gjatë javës së fundit, janë vendosur gjithsej 15 637 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, mesatarisht 2233 masa në ditë”, njoftoi Policia.

“Më tej, gjatë javës, janë tërhequr me mjet ngritës 10 automjete që kishin penguar lëvizjen e lirë të automjeteve të tjera, janë bllokuar 25 automjete për shkelje të ndryshme rrugore, si dhe janë vendosur 174 masa adminstrative ndaj mjeteve të tonazhit të rëndë, autobuzave dhe fugonave”, njoftoi Policia.

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos kryejnë parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm.

 

Fraksion.com