Ekstradohen në Tiranë dy persona të akuzuar për vepra penale
Sipas njoftimit të sotëm të Policisë së Shtetit, në vijim të bashkëpunimit me strukturat homologe në Policinë gjermane, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, në drejtimin e Drejtorisë së Interpolit, u kryen procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit F. M., 18 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim. 18 vjeçari në bashkëpunim me vëllanë e tij dhe dy shtetas të tjerë (të gjithë të mitur), kanë tentuar t’i vjedhin një shumë prash një shtetasi të mitur, në rrugë, duke e kanosur me thikë.
Gjithashtu, po si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Romën, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, në drejtimin e Drejtorisë së Interpolit, u ekstradua nga Italia, shtetasi shqiptar I. N., 50 vjeç.
Sipas Policisë, ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Fraksion.com