Berisha në PPE: Për të siguruar një mandat të katërt, Edi Rama burgosi liderët e partive kryesore opozitare në Shqipëri
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim gjatë mbledhjes së grupit të PPE, ku ka akuzuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për përdorimin e taktikave autoritare për të siguruar një mandat të katërt. Sipas Berishës, Rama ka arrestuar liderët e partive kryesore opozitare për të penguar konkurrencën dhe për të ruajtur pushtetin.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se Rama, në përpjekje për të fituar mandatin e katërt, ka përdorur metodën e arrestimeve politike, duke filluar me atë të vetë Berishës. Ai shtoi se akuzat ndaj tij ishin të pabaza dhe të fabrikuara, siç ishte rasti i akuzave për dhënien e 400 metrave katrorë tokë publike për dhëndrin e tij, e cila, sipas Berishës, ishte tokë private e trashëguar nga gjyshërit e tij.
Gjithashtu, Berisha përmendi rastin e Fredi Belerit, deputet i zgjedhur në Parlamentin Evropian, i cili u arrestua në mënyrë të padrejtë dhe nuk iu lejua të bëhej kryetar i bashkisë së Himarës, për shkak të interesave personale dhe mafioze të Ramës. Ai gjithashtu përmendi se Rama ka përdorur përndjekje të ndihmuar nga drejtësia e korruptuar për të shuar çdo formë të opozitës politike dhe për të frikësuar ata që guxojnë të flasin kundër tij.
Për të siguruar një mandat të katërt, Edi Rama, i cili erdhi në këtë institucion dhe mbajti një fjalim që kujtonte shumë atë të Hoxhës apo të Gaddafit, vendosi që për mandatin e katërt të arrestojë tre liderë të partive kryesore të opozitës. Ai arrestoi kryetarin e Partisë Demokratike,vendosi në arrest shtëpie për 330 ditë kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, me akuza të rreme pas një hetimi që zgjati katër vjet. E akuzuan se kishte dhënë për dhëndrin e tij 400 metra tokë publike, ndërkohë që toka kurrë nuk kishte qenë publike. Sipas dokumenteve zyrtare, ajo ishte tokë private që i përkiste gjyshërve të tij. Ai ishte një nga gjysmë milioni njerëz që morën mbrapsht pronat e konfiskuara nga regjimi komunist. Duke shkelur çdo ligj dhe çdo kushtetutë, atij iu bllokua komunikimi me avokatët.
Por disa muaj më parë, ai arrestoi kreun e partisë së dytë opozitare, Ilir Meta, si person nën hetim. E arrestuan, e keqtrajtuan në rrugë, e tërhoqën zvarrë, e rrahën, pa i treguar asnjë urdhër arresti. I treti, kreu i partisë së tretë opozitare, Fatmir Mediu, ish-ministër i mbrojtjes, ndodhet në një proces penal për një çështje që është gjykuar para 15 vitesh dhe nuk ekziston më asnjë fakt i ri.
Regjimi i merr mandatet opozitës. Edi Rama i mori mandatin dhe arrestoi Fredi Belerin. Aktualisht ai është deputet në Parlamentin Evropian. U arrestua me dëshmi të rreme, dhe ndonëse ishte zgjedhur, nuk iu lejua kurrë të bënte betimin, sepse Rama donte me çdo kusht që Beleri të mos bëhej kryetar i bashkisë së Himarës. Kjo sepse, për interesa mafioze, Edi Rama kishte marrë pjesë në një pronë publike, duke e trajtuar si pronë të tij, ndërkohë që nuk ishte e tillë. Kështu, Belleri kaloi një vit e gjysmë në burg, nuk u lejua të bënte betimin dhe humbi mandatin si kryetar bashkie.
Një deputet i ri, i quajtur Ervin Salianji, pati guximin të publikojë një përgjim nga një gazetare trime, në të cilin tregoheshin faktet që vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, kërkohej në Itali, sepse ishte dënuar me tetë vite si udhëheqës i një rrjeti trafikimi kokaine në Bolonja, dhe që drejtonte trafikun nga Vlora drejt Italisë. Të nesërmen, ata e transferuan vëllanë e ministrit në Itali, por për pesë vite me radhë bënë gjithçka për të burgosur deputetin Salianji, duke e akuzuar për dëshmi të rreme, ndonëse ai kurrë nuk kishte dorëzuar ndonjë dokument apo provë zyrtare.
Fraksion.com