Zhvillimi i agroturizmit, Denaj: Kredi me interes 2%, qeveria mbulon 70% të riskut
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se linjat e kreditimit të vendosura nga qeveria mbështesin investimet në agroturizëm.
Sipas saj, investimet në agroturizëm, zgjerimi dhe modernizimi i tyre ndikojnë dhe në zhvillimin e ekonomisë lokale.
Denaj u ndal në Bërzhitë, ku zhvilloi një bashkëbisedim me administratorin e “Flumen Park”.
“Një bisedë e këndshme me Fredin, administratorin e “Flumen Park”, i cili më tregoi për ecurinë e deritanishme, gjallërimin që i ka dhënë zonës, angazhimin e banorëve në punë dhe planet për zgjerim. Me linjën e financimit të Kredisë së Butë, të mbështetur nga Garancia Sovrane dhe Paketa e Maleve, nxisim investimet në agroturizëm për zgjerimin, modernizimin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale”, u shpreh ministrja Denaj.
Fredi tregon se ka zgjedhur të mos ngrihet në lartësi por të shtrihet në terren që të ketë sa më shumë lidhje me natyrën dhe ambientin.
Ministrja Denaj vuri në dukje se programi i financimit me kredi për biznesin e vogël dhe të mesëm me vlerë 250 milionë euro, i miratuar nga Banka e Shqipërisë, do të ndërthuret edhe me Garancinë Sovrane.
Nga muaji korrik 2025 do të hapen aplikimet për kredi të buta me interes 2% nëpërmjet Garancisë Sovrane, pas miratimit të Aktit Normativ nga qeveria.
Ulja e normës së interesit në 2% vetëm në mbështetje të bizneseve për sektorët e bujqësisë, mundësohet nga shteti që do të mbulojë 70% të rrezikut të kolateralit për kredinë.
Garancia Sovrane për financim kredie me 2% interes do të mbështesë aplikues të 5 sektorëve në bujqësisë, si: serrat; agropërpunimin; peshkimin; akuakulturën; agroturizmin dhe inovacionin teknologjik.
Fondi prej 250 milionë eurosh i programit të financimit për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme tashmë është shpërndarë te bankat e nivelit të dytë dhe mbështet financimin e SME-ve, përfshirë edhe ato bujqësore, nëpërmjet kredive me interes 3,5%.
“Agroturizmi është një model biznesi që po merr një vëmendje nga qeveria në shumë aspekte me mbështetje dhe financime. Agroturizmi është përfshirë brenda 5 sektorëve që mbështeten me kredinë e butë 250 milionë euro, e cila si rrallë herë vjen me një normë interesi të reduktuar me 3,5%. Me skemën e garancisë që aprovohet në qershor, nëse një agrobiznes apo turizëm nuk arrin të ketë kolateralin, qeveria merr 70% të riskut, duke ulur edhe normën e interesit 2%. Janë skemat e granteve dhe “Paketa e Maleve”. Kjo paketë ka disa avantazhe, përfiton aty ku ke tokën e të parëve, por nuk ke letrat. Qeveria të mbështet duke ti dhënë ato menjëherë. Dhe e dyta zero taksa për 10 vite”, deklaroi ajo.
Janë mbi 1000 investime dhe rreth 125 milionë euro ndihmë e drejtpërdrejtë në 10 vitet e fundit në mbështetje të ndërtimit të afro 400 pikave të përpunimit dhe grumbullimit, 122 agroturizme, si dhe një rritje të konsiderueshme të stabilimenteve të kafshëve me mbi 50 mijë gjedhë.
Fraksion.com